Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy shtetas për vepra të ndryshme penale.
Një prej tyre tha thyer masën “arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkodrës, për vjedhje dhe tjetri është kapur duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Njoftimi i policisë:
DVP Shkodër/Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë arrestuar në flagrancë një shtetas, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkodrës, për vjedhje. Në muajin shkurt, gjatë operacionit policor të koduar “Adoleshentët”, u zbardhën dhe u dokumentuan 53 vjedhje të kryera në qytetin e Shkodrës, disa prej tyre me dhunë, nga ky shtetasi dhe 2 shtetas të tjerë të mitur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin, 26 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Shkodër – Lezhë, duke drejtuar pa leje drejtimi, një motomjet të modifikuar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme./abcnews.al