Thyen orën “covidiane” dhe u kapën pa maska, gjobiten 952 qytetarë, bllokohen 45 makina

schedule16:30 - 16 Shkurt, 2021

schedule 16:30 - 16 Shkurt, 2021

952 qytetarë janë gjobitur nga policia në 24 orët e fundit, pasi nuk zbatuan masat anticovid, ndërsa u bllokuan edhe 45 makina.

Gjatë 24 orëve të fundit policia thekson se 850 gjoba i ka vendosur për mos mbajtjen e maskës nga qytetarët që ka konstatuar në shkelje. 101 qytetarë janë gjobitur, pasi janë kapur duke udhëtuar në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik. Gjithashtu janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 45 drejtues që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 20:00.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e policisë, 6 persona që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Gjobave nuk u kanë shpëtuar as bizneset. Policia njofton se në 24 orët e fundit është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, administratori i vetëm një lokali që u konstatua duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.

Në zbatim të masave anticovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!