Dy ditë nga zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, kryetarja e komisionit parlamentar të medias dhe mjeteve të informimit publik i bën thirrje kandidatit të vetëm për kryetar, Skënder Gjinushit të tërhiqet nga gara. Sipas Fatjona Dhimitrit, zgjedhjet janë të jashtëligjshme dhe akademikët duhet ‘ti bojkotojnë.
Në prag të zgjedhjeve për kryesinë e Akademisë së Shkencave, kryetarja e komisionit parlamentar të edukimit dhe mjeteve të informimit publik i bën thirrje akademikëve t’i bojkotojnë ato.
“Ju bëj thirrje të gjithë akademikëve për të mos hyrë në aventurën e zgjedhjeve të 24 Majit sa kohë ligjërisht duhet të presin përpilimin dhe hyrjen në fuqi të kuadrit të ri ligjor, të mospërfshihen në procese të parregullta ligjore, të cilat kompromentojnë të ardhmen e Akademisë, pengojnë marrëdhënien e bashkëpunimit me Kuvendin, e vendosin ligjvënësin përpara faktit të kryer, duke i hequr kështu kompetencat e sovranit”, tha Fatjona Dhimitri.
Më 24 Maj, Akademia e Shkencave shkon në zgjedhje me një kandidat të vetëm për kryetar. Ish-kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, gjithashtu drejtues i grupit të punës për reformimin e Akademisë. Projektligji i dalë prej tij është në proces diskutimi në komisionin parlamentar të edukimit dhe mjeteve të informimit publik. Kryetarja e këtij komisioni i bën thirrje të tërhiqet.
“Mendimi shkencor nuk mund të jetë pjesë e skemës politike. Edhe kandidati për kryetar i akademisë së shkencave është pikërisht një ish-kryetar partie në koalicionin qeveritar, i cili ka dhënë dorëheqjen katër ditë më parë. Është një ish-kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe më parë akoma, ish-ministër në periudhën e komunizmit dhe diktaturës. Edhe shkencën, ne politikanët e partive politike do ta drejtomë zoti Skënder Gjinushi? Zoti Gjinushi, tëhiquni nga zgjedhjet në Akademië e Shkencave! Mos censuroni kornizën e mendimit shkencor në Shqipëri”, tha ajo.
Sipas Dhimitrit, zgjedhjet në Akademinë e Shkencave nuk duhet të mbahen pasi janë të jashtëligjshme.
“Zgjedhjet e pretenduara janë të pagjetura me boshllëqe në legjitimitetin e tyre ligjor, të nxituara, vënë komisionin dhe Kuvendin përpara faktit të kryer, të padobishme për reformimin e Akademisë së Shkencave, paradoksale pasi zgjedhin drejtues me ligjin që vetë Akademia do të ndryshohet. Jo serioze dhe të paprecedenta në historinë e kësaj Akademie qysh prej krijimit të saj”, tha Dhimitri.
Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave vijnë dy vjet pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për ta reformuar këtë institucion. Të drejte vote për të zgjedhur strukturat drejtues të saj kanë 44 akademikë./ABC News Albania 24/7