Bayern Munchen e nisi shumë mirë vitin 2020 me fitoren 0-4 kundër Hertha Berlin. Kampionët e Gjermanisë shënuan katër herë në pjesën e dytë dhe Robert Lewandovski realizoi golin e dytë të ekipit të tij.
Rrjeta e 20-të në kampionat për polakun, i cili ndan kreun e golashënuesve më të mirë me Werner të Leipzig. Në një prononcim për Bild, 30-vjeçari thur elozhe për Thomas Muller dhe analizon të mirat që i sjell aktivizimi i gjermanit.
“E kam më të thjeshtë për të shënuar kur kam Muller në krah. Thomas më ndihmon shumë, merremi vesh shumë mirë bashkë. Ai bën disa lëvizje drejt topit dhe drejt portës që më lejojnë mua të lëviz më mirë në fushë. Muller lëviz dhe vrapon shumë, kjo gjë më ndihmon.
Kur ai është në formacion kemi gjithmonë një lojtar më shumë në zonën kundërshtare dhe unë kam më shumë hapësira. Shpeshherë markohem nga dy-tre lojtarë, por kur është Muller duhet të mendojnë edhe për të. Shpresoj që do të luajmë edhe më shumë së bashku, besoj se do të ndodhë diçka e tillë“, përfundon bomberi polak. /abcnews.al