Thirrja e Hasanit: Po vuajnë për bukë, t’i ndihmojmë si i ka hije Vllaznisë

schedule13:58 - 3 Prill, 2020

schedule 13:58 - 3 Prill, 2020

Zyrtari i klubit të Vllaznisë, Alban Hasani, ka dalë me një qëndrim ditën e sotme dhe i bën thirrje Këshillit Bashkiak të kalojë pagat për klubin shkodran, pasi ka punonjës që me ato të ardhura mbajnë familjet e tyre. Jo vetëm kaq, por ish-qendërmbrojtësi bën edhe një propozim për drejtuesit dhe futbollistët, që nëse e kanë pagën 1.5 milionë e lart, të ofrojnë 20% të pagës për këta persona.

“Situata e krijuar nga koronavirusi po sjell shumë vështirësi edhe për sportin e futbollit në përgjithësi. Klubi Vllaznia është një nga ata që tashmë ndodhet në një vështirësi për shkak se ende nuk janë miratuar pagat për sportistët, administratën, akademinë dhe aq më tepër punonjësit e stadiumit dhe fushës sportive “Reshit Rusi”. Këshilli Bashkiak i Shkodrës zhvilloi një mbledhje online, por në rendin e ditës nuk ishte askund miratimi i pagave për klubin Vllaznia.

 

Kjo është absurde, sepse janë një numër i lartë personash të cilët tashmë si shumë të tjerë kanë mbetur pa të ardhura dhe kjo po krijon probleme shumë të mëdha. Sportistët nuk kanë të ardhura të tjera për të mbajtur familjet e tyre dhe për ta ky është një problem. Kërkoj që Këshilli Bashkiak i Shkodrës të mblidhet sa më parë edhe një herë tjetër online dhe me urgjencë të kalojë pagat e klubit Vllaznia sepse është emergjente. Futbolli nuk mund të braktiset në këtë mënyrë. Është e pafalshme për këdo.

Në një vështirësi edhe më të madhe ekonomike se e gjithë pjesa tjetër, janë punonjësit e stadiumit të Shkodrës “Loro Boriçi” dhe ata të fushës sportive “Reshit Rusi”. Ata janë hallexhinj dhe një pjesë e tyre nuk e kanë bukën e gojës dhe çdo herë presin pagat në fund të muajit për të mbijetuar. Pjesa më e madhe janë në kushte të vështira ekonomike, disa janë me qira dhe të tjerë që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër përveç asaj page.

 

Në këtë mënyrë, duke parë këtë situatë tejet të vështirë ku ndodhen këta punonjës, është mëse emergjente që Këshilli Bashkiak të mblidhet dhe t’i miratojë ato para, aq më tepër në këto ditë të vështira është 10-fish detyrim, sepse nuk mund t’i lëmë pa bukë këto familje. Me çfarë do t’i ushqejnë fëmijët, me çfarë do të paguajnë qiratë, me çfarë do të jetojnë kur janë në kushte të vështira dhe në mëshirë të fatit pa asnjë kacidhe.

 

Përveç apelit për Këshillin Bashkiak, propozoj duke nisur nga vetja dhe të gjithë drejtuesit e klubit Vllaznia dhe akademisë si dhe të gjithë lojtarët e Vllaznisë, që kanë pagën mbi 1.5 milion lekë të vjetër në muaj, 20% të pagës tonë t’i grumbullojmë të gjithë bashkë dhe në këto ditë tejet të vështira t’ia dhurojmë punonjësve të stadiumit dhe të fushës sportive “Reshit Rusi”, të cilët janë në hall më shumë se kurrë.

Është një moment ku të gjithë duhet të solidarizohemi dhe t’ju gjendemi pranë këtyre familjeve që janë në nevojë dhe nuk po mbështeten nga askush. Bamirësia nuk do të na varfërojë asnjërin prej nesh, që kemi një mundësi sado të vogël. Nuk duhet të harrojmë se ne jemi Vllaznia, jemi një familje dhe këtë ndjenjë të përbashkimit më shumë se kurrë duhet ta tregojmë tani.

 

Ftoj administratorin Suad Lici, drejtorin e akademisë Qashif Hoxha, drejtorin sportiv Engin Firat, të gjithë pjesën tjetër të administratës që kanë mundësi dhe futbollistët me mbi 1.5 milion lekë të vjetër pagë mujore që të më bashkohen në këtë nisëm për të ndihmuar sado pak ata punonjës që nuk kanë asnjë mundësi!

Shpresoj në një reagim të shpejtë dhe një përgjigje pozitive të të gjithë drejtuesve, lojtarëve dhe kujtdo tjetër që ka mundësi. Ky apel i imi nuk është një lojë për protagonizëm, por një kërkesë zemre për të ndihmuar ata që janë më në hall! Bashkë mund t’ia dalim! Ne jemi VLLAZNIA!”, shkruan Alban Hasani në llogarinë e tij në “Facebook”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!