Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Surani u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për ngjarjen e ndodhur në Bularat të Gjirokastrës. Sipas zyrës së shtypit të kësaj ministrie mësohet se ambasadores iu komunikua pozicioni i autoriteteve shqiptare lidhur me këtë çështje. Në takim u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare, autoriteti i vetëm që në bazë të kushtetutës dhe legjislacionit penal shqiptar kryen hetim të pavarur për çdo vepër penale që ndodh në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përsëriti thirrjen për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të kësaj çështje, duke siguruar se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke./abcnews.al

