60 mijë objekte arkeologjike qëndrojnë kyçur në fonde. Drejtori, i Akademisë së Qendrës Albanologjike, Marenglen Verli, në një intervistë për Abc Neës thotë se është domosdoshmëri ndërtimi i një muzeu arkeologjik dhe etnografik, pasi objekte me vlera unikale, nuk ekspozohen për vizitorët.
Nga mijëra objekte të zbuluara nga nëntoka shqiptare në harkun e 100 viteve , vetëm maja e ajsbergut, ekspozohet në muzeun arkeologjik të Tiranës. Ky muzeu e ka zanafillën në vitin 1948 me emërtimin Muzeu Etnografik-Arkeologjik. Me zgjerimin e kërkimeve dhe studimeve në vitin 1976 u shndërrua në muze arkeologjik. Marenglen Verli, Drejtori i Akdemisë së Qendres Albanologjike, prej nga varet instituti arkeologjik dhe muzeu thotë se vit pas viti janë bërë disa ndërhyrje për mirëmbajtje, por kjo nuk është e mjaftueshme.
Në këtë hapësirë muzeale prezantohen koleksioni i limituar prej 2100 objektesh, përmes ekspozitës permanente. Edhe ky koleksion zgjon interes të madh nga vizitorët thekson Verli. Së fundmi objektet e ekspozuara do të shoqërohen me etiketa në gjuhë të huaj. Por përtej kësaj hapësire, në bodrume ruhen mijëra objekte unikale.
Arsyeja pse këto objekte mund të shikohen veç nga specialistët që kujdesen për mirëmbajtjen është mungesa e një muzeu arkeologjik nënvizon Marenglen Verli, i cili thotë se çdo vit kërkesa për ndërtimin e tij ka shkuar në vesh të shurdhët.
Edhe gjatë intervistës , arkeologët në terren e vënë në dijeni drejtorin e Akademisë së Qendrës Albanologjike për gjetjet më të fundit në terren.
Çdo objekt i dal nga nëntoka nga ekspeditat në terren që nga misionet e para arkeologjike franceze në 1924 janë të pajisur me pasaportën përkatëse e cila mbahet në këto regjistra, ku sëfundmi po punohet që ata të pasqyrohen edhe online.
Të njëjtin fat si thesaret e arkeologjisë kanë edhe objektet etnografioke, të cilat rrinë mbyllur në fonde shpjegon Verli. Në këto arka janë zbulimet e këtij viti nga misionet e ndryshme në terren, të cilat pritet të përpunohen dhe të pajisen me pasaportën përkatëse nga arkeologët dhe specialistët e trashëgimisë kulturore./ABC News Albania