Thellohet skandali i qeverisë Kurti/ Hetimet: Veç grurit e vajit, në rezervat nuk hynë edhe 120 ton sheqer

schedule15:28 - 20 Gusht, 2023

schedule 15:28 - 20 Gusht, 2023

Thellohet skandali me rezervat shtetërorë ne Kosovë.

Referuar mediave vendase, që kanë zbardhur dosjen e prokurorisë për rastin e korrupsionit në Ministrinë e Industrisë, në total janë 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj si dhe 120 mijë kilogramë sheqer që do të duhej të ishin në Rezervat Shtetërore e nuk janë si pasojë e të keqpërdorimit të më shumë se 600 mijë eurove.

Sipas dokumentit, përgjegjës për mungesën e rezervave janë dy zyrtarët e Ministrisë së Industrisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, si dhe biznesmenit Ridvan Muharremi.

Lipovica e Gara akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare duke lejuar anashkalimin e procedurës së hapur të prokurimit publik.

Në dosje theksohet se Lipovica ka anashkaluar anëtarët e tjerë të Komisionit për Negocimin e Kontratave, duke ia mundësuar biznesmenit Muharremi të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes ministrisë dhe operatorit ekonomik nga Turqia.

Konkretisht, në dokument thuhet se ishte nënshkruar kontrata për blerje të 10 mijë tonëve grurë  nga Turqia për 4 milionë e 834 mijë euro dhe më pas ishte nënshkruar një kontratë për furnizim me 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, për 276 mijë euro.

Vaji e sheqeri nuk erdhën asnjëherë në rezervën e shtetit.

Dosja sqaron se ishte Gara që ka adresuar te Lipovica kërkesën për përjashtim të procedurave të prokurimit, ndërsa Muharremi dyshohet për “dhënie të ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Përmes avokatit të tij, ky i fundit, e pranoi se ishte angazhuar nga ministria për të blerë mallrat për Rezervat Shtetërore.

Mirëpo pavarësisht të gjitha fakteve ministrja Rozeta Hajdari e mohoi.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!