Kriza energjitike ka prekur gjithë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë. Edhe pse vendi ynë është i pasur me burime energjitike, qeveria fajëson luftën në Ukrainë si shkaktare të krizës në tregun global.
Eksperti i energjisë, Lorenc Gordani i ftuar në “Ballkan” në Abc me gazetaren Linda Karadaku u shpreh se zgjidhja e kësaj krize vjen te menaxhimi.
Lorenc Gordani: Ne kemi burime të rëndësishme krahasimisht me vendet e tjera, por në ditët e stome asnjë vend nuk është plotësisht i pavarur. Kërkesa për energji është gjithnjë në rritje. Zgjidhja vjen te menaxhimi. Duhet që energjia të hyjë në një optikë të re, të hyjë në optikën e tregut. Problemi fillon që te qasja dhe mendësia që ne kemi. Duhen dhe burime njerëzore. Thelbi qëndron te vullneti politik. Kjo është reforma më e madhe që i duhet një vendi, energjia është në tranzicion të vazhdueshëm. Ne duke pasur dhe burime deri diku jemi mbështetur në këto burime të sigurta dhe kjo mbase na ka bërë pak dembelë. Lidhur me energjinë ne jemi si në vitet ’90. Duket se ne nuk dëshirojmë të shkëputemi dhe t’ia besojmë tregut, e të kërkojmë pastaj përfitimet. Ne diçka të tillë e kërkojmë nga autoritet publike. Por energjia është një mall, shitet në treg. Enti rregullator ka për detyrë të rregullojë ato aspekte që nuk i rregullon dot tregu.
Shqipëria mbështetet në Entin rregullator të Energjisë, ndërsa Greqia ka mbështetur direkt qytetarët për të paguar faturat e energjisë. Eksperti, i pyetur nga gazetarja Karadaku se cili model është më i mirë për qytetarët dhe shtetin, u shpreh se vendi ynë duhet të kalojë nga mbështetja e kompaninë publike, në mbështetjen e drejtpërdrejtë të qytetarit.
Gordani: Çdo vend ka rregullator. Roli i rregullatorit është shumë i kufizuar, pro gjithë pjesa tjetër e subvencioneve vjen nga buxheti i shtetit. Nuk mund t’i lësh barrën një kompanie publike që ajo të jetë edhe konkurruese në treg edhe të mbështesë konsumatorin. Ne duhet të shkojmë nga mbështetja e kompanive publike që nuk sjell asnjë efekt, të ndihmojmë konsumatorët.
Eksperti theksoi se reformat për i përket sektorit energjitik, mund t’i bëjnë vetëm aktorët që janë brenda.
Gordani: Ne realisht nuk duam t’i marrim hapat. Duke qenë se kemi hyrë në disa procese ne vetëm na janë rritur kostot. Nuk kemi krijuar tregun, nuk ka konkurrencë. Ne kemi njëfarë potenciali ndryshe nga vendet e tjera pikërisht sepse kemi burime shumë të vlefshme në tregun e energjisë. Unë besoj që kemi një pritje, themi të vazhdojmë një herë me këtë biznesin tradicional, sepse kemi kohë për biznesin më të avancuar. Reformat mund t’i bëjnë vetëm aktorët që janë brenda sektorit.
Vuçiç ka propozuar që të blejë qymyrin e Kosovës dhe të blerë energji. Kjo vjen në një kohë kur me vite është luftuar kundër energjisë së prodhuar nga qymyri për shkak të ndotjes. A po i rikthehemi kësaj metode të prodhimit të energjisë? Eksperti u shpreh se ky është një hap që është ndërmarrë për përballimin e krizës.
Gordani: Ky është një hap që është ndërmarrë për përballimin e krizës. Është diçka që Evropa i duhet tani të kthehet sepse është përballë një hapi të rëndësishme që do hidhet, për sa i përket naftës që të shkëputet nga Rusia. Edhe nga pikëpamja ekonomike është i vlefshëm rikthimi i tyre në përdorim. Në rastin konkret vendet e rajonit janë ndër më ndotësit, ky është fakt. /Abcnews.al/