WP: Transformimi i Zvërnecit/ Resorti luksoz i Kushner mes natyrës së egër

schedule21:03 - 17 Gusht, 2024

schedule 21:03 - 17 Gusht, 2024

“Një parajsë e izoluar mes plazheve, me duna rëre të paprekura dhe të rrethuara nga shkëmbinjtë”, kështu e përshkruan Jared Kushner bregdetin shqiptar. Dhëndri i ish presidentit amerikan Donald Trump e konsideron Shqipërinë një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e projekteve të rëndësishmë që do të sillnin një turizëm elitar.

Në një artikull kushtuar investimeve të Kushner në Ballkan, “Washington Post” shkruan se dhëndri i Trump po planifikon dy investime të rëndësishme në Shqipëri, por fokus më të madh i ka kushtuar atij në zonën bregdetare të Zvërnecit.

Në artikull thuhet se në një nga udhëtimet e tij të shumta në Shqipëri, Kushner kreu një vizitë përgjatë vijës bregdetare të Mesdheut, por ajo që i ra në sy dhe që ai e konsideron si madhështore ishte dhe zona ku ai ka vendosur të investojë, ishulli i Sazanit dhe zona bregdetare e Zvërnecit.

Sipas medias amerikane ky pritet të jetë projekti më i madh i dhëndrit të ish-presidentit amerikan. Artikulli sjell në vemendje edhe historinë e Shqipërisë, ku deri në vitet ’90 vendi ishte nën kontrollin e diktaturës, pa asnjë investim të huaj, duke e lënë kështu ekonominë prapa fqinjëve të Mesdheut.

Por në shkrimin e Washington Post thuhet se në vitet e fundit Shqipëria ka marrë një zhvillim të shpejtë në sektorin e turizmit, pasi qeveria ka ofruar politika për të stimuluar investimet e huaja.

Sipas medias amerikane një nga sfidat kryesore në mandatin e tretë të kryeministrit Rama është ruajtja e natyrës, ku përmendet shpallja e Lumit Vjosa Park Kombëtar, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë.

Shqipëria nuk është vendi i vetëm në Ballkan ku dhëndri i ish-presidentit amerikan kërkon të investojë, pasi një tjetër projekt miliona dollarësh po diskutohet të investohet edhe në Serbi, duke e bërë kështu Ballkanin një zone të kërkuar nga investitorët e huaj.

Shkrimi i plotë: Mund ta lexoni këtu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!