Thaçi: “SHBA do të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”

schedule19:18 - 30 Nëntor, 2017

schedule 19:18 - 30 Nëntor, 2017

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi bëri me dije se ka marrë konfirmimin nga Shtetet e Bashkuara se do të përfshihen në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. Në një intervistë për një media serbe, ai thumboi ministrin e jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç duke thënë se shpreson të bëjë këngë për marrëveshjet mes dy vendeve.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për media serbe “Remarker” bëri me dije se gjatë takimit që ka pasur së fundmi në Uashington, ka marrë konfirmimin nga zëvendëspresidenti amerikan Majk Pence se Amerika do të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.

Hashim Thaci, President i Kosovës: “Dialogu tashmë po hyn në një fazë të re dhe zonjës (Federica) Mogherini i nevojitet e gjithë mbështetja. Prandaj është e domosdoshme që Amerika të ketë rolin e saj në këtë proces. Roli i tyre është të sjellin më shumë besueshmëri, besim dhe qëndrueshmëri në proces”.

Në lidhje me krijimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, Thaçi kërkon që kjo të bëhet sa më shpejt dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Ai nënvizoi se ftesa për presidentin serb Aleksandar Vuçiç që të vizitojë Prishtinën është “gjithmonë e hapur”.

“Unë nuk kam marrë ftesë për të vizituar Beogradin, por unë jam i gatshëm të vij kur kjo ftesë arrijë. Nëse takohemi nëpër kryeqytete të botës, pse të mos takohemi në kryeqytetet e dy vendeve tona, në Prishtinë dhe Beograd”.

Thaçi pati madje edhe një propozim për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, duke parë dhe talentin e tij në të kënduar.

“Shpresoj qe Daçiçi të bëjë këngë për marrëveshjet”.

Ndërkohë, në fund duke folur për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së, Thaçi u shpreh për median serbe se themelimi i asaj gjykate ishte “një veprim i papëlqyeshëm në Kosovë”. Ai i quajti akuzat për trafikimin e organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë “një fantashkencë”./abcnews.al