Thaçi pret Presidentin e Këshillit Evropian

schedule14:29 - 26 Prill, 2018

schedule 14:29 - 26 Prill, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian tha se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Ndërsa Tusk nënvizoi se ndihet më shumë optimist pasi bisedoi me Thaçin dhe Vuçiç për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Zyrtari i Brukselit fillimisht u takua me presidentin Hashim Thaçi dhe pas bisedës me dyer të mbyllura, ata mbajtën një konferencë për shtyp. Në fjalën e tij, Thaçi ripërsëriti se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: “Me Presidentin Tusk folëm për përkushtimin tonë për procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve. Përkushtimi nënkupton zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani por edhe lëvizjen drejt një marrëveshjeje të obligueshme që do të thoshte njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë dhe integrim në familjen e madhe evropiane. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve do të jetë një nga çështjet që do të diskutoj edhe në Berlin në takimin me Merkel që do të ndodhë më 9 Maj”.

Gjithashtu presidenti i Kosovës, u shpreh shumë optimist dhe sa I përket liberalizimit të vizave. Ndër të tjera Thaçi nënvizoi se BE dhe Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën nuk kanë qenë kurrë më afër njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, Tusk përgëzoi autoritetet e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi duke thënë se ky veprim ka arfuar dhe më shumë vendin drejt liberalizimit të vizave. Gjithashtu, zyrtari europian foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Donald Tusk, President i Këshillit Evropian: “Pa normalizim gjithëpërfshirës dhe pa implementimin e plotë te marrëveshjeve nuk shoh se si mund të bëhet një ndryshim dhe përmirësim i marrëdhënieve. Pas takimit që realizova me presidentin e Serbisë, Aleksnder Vuçiç dhe sot me presidentin tuaj Hashim Thaçin, jam shumë më optimist”.

Ndërkohë, qëllimi kryesor i vizitës së Tusk në Kosovë ishte përgatitja për Samitin BE – Ballkan Perëndimor që do të zhvillohet në Sofje më 17 Maj. Më përpara, ai vizitoi Shqipërinë dhe Serbinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!