Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Thaçi: Politika të ulet në tryezë/ Ish presidenti kërkon pajtim për Kosovën

schedule20:50 - 20 Gusht, 2026

schedule 20:50 - 20 Gusht, 2026

Një mesazh për partitë politike në Kosovë ka përcjellë ish-presidenti i Kosovës dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, duke kërkuar që pozita dhe opozita të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të arrijnë pajtim për çështje strategjike për vendin. Deklaratën ai e bëri gjatë një interviste në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ku foli edhe për zhvillimet politike në Kosovë, trazirat e vitit 2004 dhe procesin gjyqësor ndaj tij në Hagë.

“Mendoj se politika kosovare, pozitë dhe opozitë, duhet të ulet në një tryezë, të diskutojë dhe të pajtohet rreth disa zotimeve të përbashkëta: sigurisë nacionale, reformave demokratike, reformës elektorale, politikës së jashtme, marrëveshjeve ndërkombëtare, investimeve në mbrojtje, integrimit në NATO dhe BE, raporteve speciale me SHBA-në, pastaj me Shqipërinë dhe eventualisht dialogut me Serbinë.”

Gjatë intervistës, Thaçi foli edhe për zhvillimet e vitit 2004 dhe tensionet në veri të Kosovës, duke treguar se si, sipas tij, ishte parandaluar një përshkallëzim i mundshëm i situatës me Serbinë.



Thaçi ka treguar se në mars të vitit 2004, kur shpërthyen trazirat ndëretnike në Kosovë, ai ndodhej për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, ai u kthye në Kosovë me aeroplanin e parë nga Uashingtoni, përmes Vjenës, dhe menjëherë shkoi në lagjen Veternik në Prishtinë, ku ishte mbledhur një numër i madh protestuesish.

“Ju bashkëngjita mesazheve për qetësi dhe kthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre. KFOR-i pothuajse ishte dorëzuar përballë protestuesve… UNMIK-u ishte defunksionalizuar. Atë që Beogradi mundohej të na e atribuonte për shumë vite, tani po vetëidentifikoheshim. Asgjë më e keqe nuk mund t’i ndodhte Kosovës.”

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar gjithashtu se pret të shpallet i pafajshëm nga të gjitha akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Pres lirimin nga çdo akuzë. Nuk kam çfare t’u shtojë argumenteve të ekipeve mbrojtëse, si dhe fjalës sime përfundimtare në sallën e gjyqit. Çuditërisht, narrativa e pretendimeve të tilla fillon nga vitet e tetëdhjeta të lëvizjes së popullit të Kosovës për liri. Vazhdon deri në dhjetor 2000. Kulmon me Raportin e Dick Martyt, rrëfim ky i ndërtuar në bashkëpunim tanimë të konfirmuar mes zyrtarëve serb dhe rus në Këshillin e Evropës.”

Duke iu referuar akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se kthimi i tij nga diaspora kishte ndikuar në rritjen dhe masivizimin e UÇK-së, Thaçi ka thënë se veprimet e tij ishin pjesë e një angazhimi më të gjerë të shqiptarëve nga diaspora.

Gjatë intervistës, Thaçi ka rrëfyer edhe se për çfarë e kishte marrë malli më së shumti gjatë viteve që ka qëndruar i burgosur në Hagë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!