Thaçi: Gjurmët e vrasjes së gazetarit Ali Uka të çojnë tek zyra e Berishës

schedule22:49 - 30 Maj, 2019

schedule 22:49 - 30 Maj, 2019

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë deklarata dhe akuza të rënda kundër ish-presidentit Sali Berisha. Sipas Thaçit, të gjitha informacionet dhe indiciet për vrasjen e gazetarit Ali Uka, në 30 korrik të 1997,  të çojnë tek zyra e ish-presidentit Berisha. Sipas Thaçit, Ali Uka është vrarë pasi kishte gjetur dhe do të publikonte informacione për takimet e fshehta të Berishës me Millosheviçin, Gligorovin dhe Arkanin.

Ali Uka kishte prova edhe për zhdukjen dhe vrasjen e Remzi Hoxhës nga shërbimet sekrete të kohës së Berishës, tha Thaçi në një intervistë dhënë për TV Dukagjin ku ai ishte përballë dy panelesh gazetarësh nga Kosova dhe Shqipëria.

“Dua të them një fakt për herë të parë. Është e vërtetë se Ali Uka atë kohë pretendonte dhe donte të botonte në  shtyp të vërtetën e vrasjes së atdhetarit Remzi Hoxha. Ali Uka punonte në gazetën “Shqiptare”. Remzi Hoxha i cili sipas Aliut kishte bërë zbulimin e takimeve të fshehta në Ohër në mes të Sali Ramë Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit. Pra Presidentit të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë. Aliu fliste hapur me emra dhe mbiemra se kush e kishte arrestuar Remziun dhe si kishte përfunduar i vrarë. Rrëfimi i Aliut të conte direkt në zyrën e Sali Ramë Berishës, tek njerëzit në zyrën e Sali Ramë Berishës.

Ndërsa flas për takimin e fshehtë mes Berishës, Millosheviçit dhe Gligorovit në pranverë të vitit 1995. Nuk është folur shumë në publik për këtë. Pretendimi i dytë i gazetarit Ali Uka ishte se kishte zbuluar atëherë skemën e Arkanit në Shqipëri dhe takimet me zyrtarët e lartë të SHISH. Aliu fliste me fakte që Sali Ramë Berisha ishte në dijeni të plotë të qëndrimit të Arkanit dhe Legias në Fushë Krujë dhe Shkodër dhe që kontraktonin dhe merreshin me kontrabandë por para së gjithash të armatimit të njësive paramilitare të serbëve edhe në Kosovë, edhe në Kroaci, edhe në Bosnje. Këto deklarime të tij për mua kanë qenë intriguese. Sali Berisha e di shumë mirë kush e ka vra Ali Ukën. Me emër dhe mbiemër. E di se kur u burgos, si u dënu dhe kur u liru me ndikim të drejtpërdrejtë të Sali Ramë Berishës. Ali Uka ka qëndruar dhe ka pi me të në tavolinë, me dy nga këshilltarët e Sali ramë Berishës dhe dy persona të tjerë”, tha Thaçi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!