Presidenti Hashim Thaçi, gjatë Konferencës Rajonale “Dekada e Ardhshme e Kosovës: Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi në BE”, nënvizoi se politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë, por që sipas tij kjo ju takon partive politike që ta bëjnë. Kreu I shteti bën dhe një parashikim sa I përket 10-vjeçarit të dytë të pavarësisë së Kosovës.
Hashim Thaci, President i Kosovës: “Dekada e dytë e shtetit do të sjellë anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe OKB. Gjithashtu shpresoj që anëtarësimi në BE është i mundshëm nëse ne punojmë. Edhe shoqërinë civile e falënderoj shumë për mbështetje ndaj proceseve. Roli i mediave do të vazhdojë të mbetet kyç. Është fat që mediat i kemi më mirë se në Serbi, edhe se në rajon. Kjo është e vërtetë”.
Më tej, Thaçi nënvizoi se i mirëpret platformat e prezantuara nga kryeparlamentari Kadri Veseli për konsensus të përgjithshëm politik, si dhe të qeverisë për finalizimin e dialogut me Serbinë.
Hashim Thaci, President i Kosovës: “Unë i mirëpres platformat që po prezantohen nga liderët politik. Në veçanti për arritjen e një konsensusi për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi. Marrëveshja obligative është në favor të të dyja vendeve. E lehtëson rrugëtimin drejt BE-së. E di se dialogu me Serbinë është shumë i vështirë dhe po ashtu përkushtimi për pajtim, por kjo është rruga e vetme për të ecur përpara”.
Ndër të tjera komentoi edhe ngjarjet e ndodhura në kuvendin e Kosovës. Thaçi u shpreh se përdorimi i gazit lotësjellës ka treguar një pamje jo reale të vendit në botë. /abcnews.al