Teuta ka mposhtu thellë skuadrën e Kukësit në “Niko Dovana”, me durrsakët që marrin kështu edhe fitoren e dytë rresht në kampionat, ndërsa verilindorët e Diego Longos kanë “harruar” shijen e fitores.
Vendasit gjetën golin që në minutën e 11 me anë të Hebajt, i cili me kokë mposhti portierin Xhika. Një gol që zë në befasi skuadrën e Longos, e cila provoi me Milunovic të barazonte rezultatin por tentativa e sulmuesit lë shumë për të dëshiruar.
Rezultati u barazua vetëm në minutën e 36 kur Emiliano Musta ndëshkoi ish-skuadrën e tij, teksa dërgoi të dy ekipet në dhomat e zhveshjes në barazim 1-1.
Pjesa e dytë rezultoi të ishte “zjarr” për të besuarit e Renato Arapit, që gjetën golin edhe 3 herë të tjera, për të fituar kështu takimin me shifrat 4-1.
Rubin Hebaj do të shënonte përsëri në minutën 52-të, Daci në minutën e 67-të do të ndëshkonte ish-skuadrën e tij. Përsëri 5 minuta nga fundi do të ishte përsëri Hebaj që do të vuloste këtë takim, me pjesën e dytë që foli e gjitha në favor të djemve të detit, që marrin kështu një 3 pikësh me shumë vlera në garën për mbijetesë duke shkuar në kuotën e 39 pikëve në vendin e 7-të.
Ndërkohë nga ana tjetër Kukësi i Longos i ka “dorëzuar” vendin e 3-të skuadrës së Partizanit, teksa ndodhen me pikë të barabarta 46-të, ku pas një jave do të përballen në “Kukës Arena”. /f.a/abcnews.al