Teuta kalon një tjetër dramë në Superligë

schedule18:34 - 18 Mars, 2018

schedule 18:34 - 18 Mars, 2018

Teuta arriti një fitore të parashikuar në fushën e Lushnjes, në ndeshjen e Superligës, veçse nuk e pati aspak të lehtë. Në një ndeshje të çuditshme realizoi një përmbysje që i jep shpresë për mbijetesën

Për të dytën javë radhazi, u desh të kalohej një dramë.

Teuta këtë herë e mbylli me fitore ndeshjen e Superligë, ndryshe nga ajo e kaluara në fushën e vet me Skënderbeun ku vetëm barazoi.
Suksesi në fushën e Lushnjes u arrit në minutën e 93-të me shifrat 3-2, në një nga ato ndeshje, për të cilat njeriu nuk di nëse duhet të lumturohet apo të dyshojë.

Fitorja shtoi shpresat për mbijetesë në Superligë, në dëm të Vllaznisë apo ndoshta edhe Kamzës.
Vendasit hynë dhe dolën nga fusha pa pasur praktikisht asnjë shpresë për mbijetesë, por çuditërisht luftuan aq shumë sikur të ishin në ditët e tyre më të mira.

Mikel Canka, sulmuesi kryesor, ishte autor i dy golave që u dhanë myzeqarëve epërsinë 2-0.
Më pas nisi kthesa, dhe skuadrat i ndryshuan totalisht rolet në fushë.

Nëse më parë sulmonte Lushnja dhe Teuta nuk dinte ku ishte, që nga fundi i pjesës së parë ndodhi e kundërta.
Një 11-metërsh krejtësisht i pastër u dha për durrsakët dhe u kthye në gol nga Hila, ndërsa përmbysja u la pas pushimit.
Skuadra mike, siç edhe pritej, bëri shumë më tepër, duke shënuar shpejt golin e barazimit, por edhe duke ushtruar presion.

Goditën traun e portës vendase, krijuan edhe raste të tjera, por fitorja, si për mrekulli, u arrit vetëm në minutën e tretë shtesë, me anë të Dediçit.

Edhe ndeshja tjetër e luajtur në të njëjtën kohë, shkoi në favor të durrsakëve, pasi Laçi fitoi 2-0 ndaj Kamzës.
Kjo bëri që kurbinasit në barazohen me Kukësin e vendit të dytë, me 42 pikë, ndërsa kamzalinjtë të rrezikojnë Superligën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!