Tetovë, studentët vazhdojnë protestat

schedule21:55 - 19 Dhjetor, 2018

schedule 21:55 - 19 Dhjetor, 2018

Studentët e Universitetit të Tetovës vijuan të mërkurën protestën për kushte më të mira. Pasi përsëritën listën me kërkesat e tyre, të rinjtë u dhanë institucioneve arsimore një javë kohë për t’i plotësuar, në të kundërt paralajmëruan me përshkallëzim të aksionit të tyre.

Për të dytën ditë radhazi Lëvizja Studentore vazhdoi në mënyrë të qetë me protestën në Tetovë. Fillimisht studentët u grumbulluan në sheshin “Iliria” nga ku drejtuan ultimatum prej 7 ditësh deri tek MASH dhe drejtuesit e universiteteve për plotësimin e kërkesave të tyre.

Studentja 1: “Si dje dhe sot sëbashku ju themi të jepni shenja serioziteti se do t’i plotësoni kërkesat tona. Në të kundërtën protesta do të përshkallëzohet dhe nuk jenë nga një orë, por 24 orë. Nga sot ju themi që keni një afat 7-ditor që të reflektoni”.

Studenti 2: “Besoj se do vazhdojmë me protestat deri sa të merren parasysh kërkesat tona dhe plotësimin e kushteve të cilat ne i kemi kërkuar me pikat e caktuara në protestë”.

Studentja 3: “Unë kam dërguar shumë kërkesa në emër të fakultetit që unë përfaqësoj dhe ato kërkesa janë kthyer çdo herë negative. Çfarë kërkesash kanë plotësuar duam të dimë? Asgjë konkrete nuk ka nga universitetet. Dhe të mos e thonë atë që pas studentëve fshihet dikush për realizimin e kërkesave tona. Ne s’kemi asnjë qëllim tjetër përveç realizimit të kërkesave tona”.

Pasi arritën para Universitetit të Tetovës studentët provuan të futen brenda në oborrin e universitetit, por të njejtët u përballën me kordonin policor. Ndërkaq, nga Uuniversiteti i Tetovës kërkuan që studentët t’i parashtrojnë zyrtarisht kërkesat e tyre duke theksuar se nuk mbanin përgjegjësi për protestuesit e tjerë.

Kushtrim Ahmeti: “Për studentët e tjerë që nuk janë pjesë e Universitetit të Tetovës ne nuk jemi kompetentë për zgjidhjen e kërkesave të tyre. Ne ende nuk kemi në mënyrë institucionale kërkesa që t’ju përgjigjemi kërkesave tuaja. Prandaj ju lus. Universiteti është i hapur, universiteti është i juaji”.

Përndryshe, shkaku i protestës së studentëve, e cila filloi dje ishte plotësimi i 15 kërkesave të studentëve ndër të cilat ishin ulja e tarifave, largimi i politikës nga universitetet, çlirimi i universiteteve nga nepotizmi, largimi i profesorëve të denoncuar dhe të tjerë. Siç u lajmërua edhe sot, nëse kërkesat e tyre nuk do të zbatohen studentët do të vazhdojnë me protestën dhe bojkotimin e ligjëratave. Kujtojmë se përderisa një pjesë e studentëve protestuan, të tjerët vijuan normalisht mësimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!