Tetori rozë, mjekja e “Spitalit Amerikan”: Kur duhet t’i nisni kontrollet për kancerin e gjirit

schedule09:13 - 30 Shtator, 2022

schedule 09:13 - 30 Shtator, 2022

Tetori është muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit. Muaji i ndërgjegjësimit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Dr. Shk. Albana Shahini, mjeke radiologe në “Spitalin Amerikan 1” ishte e ftuar këtë të premte në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, ku iu bëri thirrje grave dhe vajzave që të kryejnë sa më shumë kontrolle të hershme jo vetëm në këtë muaj ndërgjegjësimi por gjatë gjithë vitit.

“Të gjithë japim kontributin tonë ndaj këtij ndërgjegjësimi, dhe duke qenë se ka kohë që punoj në këtë fushë, shikoj interes për të kontrolluar gjirin. Ka paciente që vijnë në mënyrë kronike, që dëgjojnë nga shoqet dhe drejtohem për kontrolle por dhe pacientë që shikojnë në TV dhe vijnë për t’u vizituar.

Ka shtim të rasteve të vizitave në Tetor sepse mediat informojnë dhe të gjithë e njohin si muajin e gjirit. Çdo tumor ka një ditë dhe nuk është bërë kot por për të ndërgjegjësuar njerëzit. Gjiri ka një muaj të tërë dhe do të doja si tetori të ishte ndërgjegjësimi në të gjithë vitin por të jemi vigjilent gjatë gjithë kohës.

Ajo theksoi se kontrollet duhen sidomos kur pacienti ka një historik familjar. “Kur kemi historik familjare, prirja për një karcinomë të gjirit është më e madhe. Ata pacientë që kanë histori familjare, do të doja t’i fillonin kontrollohet të paktën 10 vjet më herët sesa mosha e familjarit me këtë sëmundje.

Dhe sa më e afërt të tjerë familjari si gjenerata e parë si nëna dhe motra, apo e gjeneratës së dytë si gjyshja, kontrollet të jenë të rregullta. Nëse ka pasur kontroll agresiv, çdo vit të bëhet rezonancë.”, tha Dr. Albana duke shtuar se vizitat duhet të nisin që në moshë të re.

“Ka disa struktura të gjirit që janë të dendura dhe duke iu dedikuar moshës së re, e vështirëson më shumë diagnostikimin e hershëm prandaj preferohet rezonanca në këto raste. Për të tjerët, për vajzat e reja rekomandohet një ekografi një herë në vit deri në moshën 40 vjeç.

Ndërsa për gratë pas 40 vjeç të fillonin me një mamografi dhe në varësi të kësaj vendosim nëse duhet një ekzaminim tjetër. Mosha 20 vjeç është ideale për të filluar kontrollet e gjirit, por ka dhe 14-15 vjeçe që detektojnë patologjitë e gjirit.

Janë disa tumore që formohen me formimin e gjirit por ndonjëherë rriten në mënyrë të pakontrolluar duke krijuar një nëntip që ka shanse për t’u kthyer në sëmundje malinje. Prandaj në këtë grupmoshë, sa herë që prekin diçka jo normale duhet të kontrollohen.”, tha doktoresha.

Për çdo tip të kancerit ka trajtime specifike. Përveç stadeve të avancuara përfundimtare, duhet të trajtohen në mënyrë lehtësuese. Për stadet e tjera, ekziston mundësia të trajtohen në mënyrë kirurgjikale apo konservative duke ruajtur gjirin si dhe për të ulur dhe efektet psikologjike që shoqërohen pas operacionit.

Nëse kapin tumorin në stade të hershme, pacientja nuk heq gjirin, shpëton nga kimioterapia nëse tumori ka një proliferinë të vogël, dhe mund të nënshtrohet vetëm me radioterapi. Kemi raste të mira, kam pacientë që i ndjek prej 20 vitesh të operuar me kancer gjiri, por gëzojnë shëndet të mirë.”

/abcnews.al