Testohet siguria në portin e Durrësit

schedule13:24 - 20 Prill, 2019

schedule 13:24 - 20 Prill, 2019

Në prag të nisjes së sezonit turistik, Autoriteti Shtetëror i Sigurisë Portuale në Drejtorinë e Përgjithshme Detare, zhvilloi një testim sa i takon nivelit të sigurisë në ambientet e terminalit të pasagjerëve në Portin Durrës. Demonstrimi i testimit u ndoq edhe nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Një çantë e braktisur vuri në alarm punonjësit e sigurisë në terminalin e pasagjerëve të trageteve në Durrës.

Pas njoftimit të shpërndarë u bë evakuimi i terminalit dhe bllokimi i portave.

Specialistët bënë investigimin e çantës me pajisjen eksploziv dhe qen eksploziv zbulues, për të kaluar më pas në skaner për t’u siguruar për përmbajtjen e saj.

Personi i cili pretendon se ka lënë çantën në terminal kontrollohet fizikisht si dhe verifikohet identiteti dhe bileta e udhëtimit. Pas vlerësimit të situatës vendoset kthimi i sigurisë portuale nga niveli 2 në nivelin 1.

E gjithë kjo ishte një demonstrim që kishte për qëllim testimin e Planit të Sigurisë së Portit.

Për ministren e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku siguria në pikat kufitare është një nga arsyet pse qeveria po ndërmerr masa për të qenë sa më pranë kujdesit për qytetarët dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

“Jemi pak ditë para fillimit të sezonit dhe siguria e këtij porti, si Porti ndërkombëtar i Republikës së Shqipërisë, është shumë e rëndësishme. Porti i Durrësit është një port i certifikuar i cili ka kaluar pa gjetje fazën e auditimit dhe është vendosur që të auditohet vetëm një herë në dy vite. Padyshim siguria në pikat kyçe, nevralgjike, të kufirit shqiptar, siç është porti dhe aeroportet apo pikat e tjera kufitare, janë një nga arsyet kryesore pse qeveria po ndërmerr masa për të qenë gjithmonë dhe më afër përsa i përket kujdesit që ne kemi për qytetarët por dhe për mbrojtjen e sigurisë kombëtare”, tha Balluku.

Drejtuesit portual thanë se ushtrime të tilla testuese zhvillohen vazhdimisht dhe se të gjitha agjencitë ligj-zbatuese kanë detyra specifike sipas planit të sigurisë së portit.

 “Ne përzgjedhim një nga ushtrimet, e monitorojmë dhe drejtojmë në bashkëpunim me drejtuesin e portin përkatës. Ky është i planifikuar në planin vjetor që ne kemi bërë dhe normalisht ky është një skenar i mirë përgatitur. Në një farë mënyre të gjithë agjencitë ligj-zbatuese kanë detyra specifike sipas planit të sigurisë së portit”

Porti i Durrësit është një nga pikat me fluksin më të lartë të udhëtarëve veçanërisht gjatë sezonit veror. Për vitin 2018, ky port ka përpunuar rreth 1012 tragete që kanë transportuar rreth 440.92 pasagjerë./abcnews.al