Albana Daka drejtore e rrjetit laboratorik “Alnet”, në spitalin Amerikan foli në studion e “Abc News” për testimet për COVID-19 në këtë spital.
Daka u shpreh se personat që janë me shenja të koronavirusit duhet t’i drejtohen 127, ndërsa personat që janë pa shenja mund të testohen.
“Për diagnozë është tamponi i cili mat ngarkesën virale të virusit. Ndërsa testi serologjik tregon përgjigjen imunitare të organizmit tonë pasi virusi është futur në organizëm dhe këto teste pozitivizohen minimalisht pas ditës 12-13 të sëmundjes. Pra ata nuk janë për diagnozë të fazës akute, por për të parë nëse organizmi ka filluar apo jo të krijojë imunitetit. Testi serologjik tregon depistim të popullsisë, pra ne duam të depistojmë një grup popullsie për të parë nëse e ka kaluar sëmundjen. Për të parë nëse jemi tani me COVID-19 është testi i tamponit”, sqaroi Daka.
Më tej ajo theksoi se rezultati nga fillimi i procedurës deri në fund del për dy orë ose dy orë e gjysmë. Por kryesisht i kemi vënë në një ditë punë, pra në fund të ditës së punës rezultati është gati.
“Marzh gabimi serologjia nuk ka, por gjithmonë është për depistimim. Marzhi i gabimit në tampon është kryesisht te marrja jokorrekte e materialit. Ose nëse jemi pak të avancuar në sëmundje dhe ngarkesa e virusit ka zbritur poshtë në pjesën e faringut, pra nëse ngarkesa virale është përqendruar më poshtë ne e kemi të pamenaxhueshme marrjen dhe tamponi del negativ”, u shpreh ajo.
Po ashtu theksoi se nuk ka një përqindje të madhe të personave që e kanë kaluar koronavirusin.
“Tamponi ka një kosto rreth 95 euro apo 12 mijë lekë të reja, ndërsa testi serologjik është diku tek 4 mijë lekë të reja për person. Ndërkohë kostoja e kiteve është ulur në muajt në vazhdim”, u shpreh mjekja.
Sakaq Daka tha se janë rreth 22 pika në të gjithë Shqipërinë, por marrja e mostrave për COVID-19 janë përqendruar në dy laboratorë.
“Është laboratori qendror tek Bulevardi Zogu I dhe një laborator që është për përpunimin e të gjitha mostrave të tjera i ndaë nga të gjitha ambientet e tjera që është godinë e ndarë pranë spitalit Amerikan 2. Mbetjet spitalore janë potencial infektimi për të gjitha sëmundjet. Ne kemi kontrata me kompanitë që janë përgjegjësisë për mbetjet spitalore. Nëpër rrethe testet serologjike i kemi bërë edhe nëpër qendrat që kemi nëpër rrethe”, u shpreh ajo.
Pjesë nga biseda në studio:
Nëse një pacient nuk është në gjendje të mirë shëndetësore është në shtëpi, duhet të marrë 127 për t’i shkuar dhe për t’i marrë tamponin, nuk mund të thërrasë strukturë private?
Daka: Po. Të gjithë pacientët me shenja dhe simptoma duhet t’i drejtohen 127 e cila do të menaxhojë dhe mirëmbajtjen në familje.
Ka pritshmëri për vjeshtën dimrin, janë marrë masa, do të rrisni kapacitetet?
Daka: Patjetër, në këtë rast nuk bënë dot parashikime. Janë marrë masat. Kemi të gjitha kapacitetet si njerëzore, infrastrukturën dhe padyshim furnizimet me kite.
Po ashtu ajo shtoi: Kemi filluar bëjmë edhe marrjen e analizave në shtëpi për personat që kanë pamundësi për të lëvizur, por edhe për personat që kanë frikë të përballen me ambientet spitalore.
Ka një lloj bilanci se nga çfarë vuajnë më shumë shqiptarët?
Daka: Ne jemi vend mesdhetar dhe pretendojmë se kemi shumë diell dhe vitaminë D. Si popullsi jemi, nga adoleshentët dhe grup-moshat jemi mbi 80% të popullsisë deficitare me vitaminën D. Vitamina që ne marrim në ditët me diell organizmi nuk e kthen në vitaminë që duhet. Po ashtu kemi edhe një problem me kequshqyerjen dhe kështu kemi deficit të vitaminës D.
Në këtë mënyrë kemi rritje të yndyrave kryesisht nga keq-menaxhimi ushqimor. Femrat 40-vjeç e lart fillojnë kryesisht problematikat me tiroidet. Por kemi filluar pak a shumë ta menaxhojmë pjesën e stilit të jetës. Ndërkohë kemi rritje të numrit të diabetikëve që në moshat fëminore. Obeziteti më pas çon në diabet, rritje të sëmundjeve kardiovaskularë te moshat e reja.
Gjithashtu Daka këshilloi se marrja ideale e vitaminave dhe mineraleve është nëpërmjet regjimit ushqimor
Një njeri normal çfarë duhet të përfshijë në “Check-Up” për të ditur gjendjen e organizmit?
Daka: Ka “Check-Up” standard, por preferojmë “Check-Up” të personalizuara. Pra duke kaluar në “Check-Up” të personalizuara kapen në kohë edhe problematikat e organizmit. Pas rezultateve merren këshilla të personalizuara se çfarë duhet të bëjë qytetari.
Sakaq ajo shtoi: Ka filluar një tjetër kulturë ndaj kontrollit shëndetësor. Sot me statistika thuhet që njerëzit që diagnostikohen në mënyrë rutinë janë shumë mirë të monitorueshme dhe kanë një jetëgjatësi më lartë. Pas daljes pozitiv të një personi aty fillon puna. Duhet bërë gjurmueshmëria e personave të kontaktit. Kjo kërkon një menaxhim shumë të mirë. Nga dalja e rezultatit pozitiv, fillon edhe i gjithë kalavari i menaxhimit të sëmundjes./abcnews.al/