Testet sierologjike, Koraqi: 5.8% e personelit shëndetësor kanë antitrupa të COVID-19

schedule14:22 - 26 Qershor, 2020

schedule 14:22 - 26 Qershor, 2020

Thuajse i gjithë personeli shëndetësor i Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” dhe i Spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë janë testuar nëse kanë rënë në kontakt me koronavirusin e ri dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë rezultuar me antitrupa të Sars CoV 2.

Përqindja më e lartë e pozitivitetit tregon shefi i laboratorit të mikrobiologjisë në QSUT Andi Koraqi është gjetur tek mjekët dhe infermierët që shërbejnë në Infektiv.

“Përqindja është relativisht e ulët. Tani flasim për një shifër, rreth 4 mijë individë të testuar, ku 5.8% është pozitiv”, shprehet ai.

 

A do tu rikthehet sëmundja këtyre?

“Ka studime që tregojnë se këto antikorpe nuk jetojnë më shumë se tre muaj. Disa thonë deri në 6 muaj. Nuk ka prova për prodhimin e antitrupave neutralizues të cilët janë ato që të mbrojnë”, sqaron ai.

Kjo situatë sipas mjekut Koraqi vë në pikëpyetje dhe teorinë e imunitetit të tufës. Sars CoV 2 ka ende shumë të panjohura. Disa prej geneve nuk iu dihet ende funksioni gjë që shpjegon dhe larminë e shenjave klinike që shfaq COVID-19. Në këto kushte si duhet të mbrohemi?

“Zgjidhja është vaksina ose një medikament i provuar që vepron ndaj Sars CoV 2. Deri tani nuk kemi asgjë. Maska dhe protokoll sigurie, këtë thirrje kam për të gjithë”, theksoi ai.

Megjithëkëtë shefi i laboratorit të mikrobiologjisë mendon se testet për antitrupat duhen shtrirë dhe në popullatë për të parë përhapjen e virusit në të.

Ndërsa për këtë pritet të vendosë qeveria, tashmë është miratuar që  tamponët për COVID-19 veç laboratorit të virologjisë në ISHP do të bëhen dhe në atë të mikrobiologjisë në QSUT.

“Nuk është se po bëhen sot për herë të parë testet të virologjisë. Sigurisht tani do fillojmë të bëjmë për COVID-19”, tha më tej Andi Koraqi.

16 javë pas shfaqjes së rastit të parë me koronavirus në Shqipëri numri më i lartë i testeve  molekulare të kryera në 24 orë referuar raportimeve të Ministrisë së Shëndetësisë është  402./abcnews.al