“Terrori i patolerueshëm”, Rama: Hamas nuk ka vend në të ardhmen paqësore, mbështesim zgjidhjen me dy shtete

schedule14:39 - 10 Tetor, 2024

schedule 14:39 - 10 Tetor, 2024

Shqipëria dhe Turqia zyrtarizojnë një nivel tjetër marrëdhëniesh, pas firmosjes së një serie marrëveshjesh gjatë vizitës shtetërore në Tiranë të Presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Presidenti turk foli për krizën në Gaza të cilën e quajti genocid dhe i kërkoi Shqipërisë të bënte të sajën. Kryeministri Rama tha se Shqipëria kërkonte paqe në Gaza, por ndahej me Turqine sa i përket dënimit të çdo lloj terrorizmi, përfshirë dhe Hamas.

“Sigurisht që Ukraina është një temë qendrore e të gjitha diskutimeve që bëhen në këto nivele kudo, por është një temë qendrore e çdo bisede që unë kam pasur me presidentin e Republikës së Turqisë dhe po ashtu sot, përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë që po godet, në mënyrë të pamëshirshme dhe tërësisht të padrejtë, një popull që është në të drejtën e vet për të jetuar i lirë dhe për ta zgjedhur vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh përditë në Gaza është një tragjedi me proporcione kolosale.

Ne bashkë-ndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm sepse duke qenë tërësisht të vendosur, bashkë me Republikën e Turqisë dhe me shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizmit, kundër terrorit, për ne terrori, në çdo formë dhe me çdo pamje që të shfaqet është i pa tolerueshëm.

Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim që patjetër duhet të nënkuptojë dhe lirimin e menjëhershëm të gjitha pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe nga ana tjetër, askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre.” tha Rama./abcnews.al