Sipas MeteoAlb: Masat ajrore me origjinë nga Veriu i Afrikës do të mbeten prezente në territorin Shqiptar duke bërë që të vijojnë temperaturat ekstremisht të larta në ultësirën perëndimore dhe në Verilindje të vendit. Ndërsa më i freskët moti do të jetë në qarku e Korçës. Kushtet e motit do të jenë në dominimin e kthjellimeve gjatë paradites, por pasditja sjell kalime të pakta vranësirash të cilat më të dukshme do të jenë në zonat Verilindore.
Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes dhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 17°C deri në 40°C.
Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi Verior – veriperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 2 ballë.
Rajoni dhe Europa
Vendet Nordike dhe Lindja e kontinentit do të jenë në ndikimin e një sistemi me vranësira të shumta të cilat do të sjellin rrebeshe shiu të shoqëruara me mini stuhi ere. Po ashtu me vranësira të shpeshta të cilat do të sjellin reshje paraqitet pjesërisht Europa Qëndrore. Ndërsa Britania e Madhe dhe Europa Jugore do të jenë në dominimin e motit të qëndrueshëm, KU më të dukshme kthjellimet do të jenë në Gadishullin Iberik.
Kosova
Orët e para të ditës do të jenë në ndikimin e kthjellimeve dhe kalimeve të pakta të vranësirave të cilat më të dukshme do të jenë në zonat Jugore. Ndërsa në vijim parashikohet që vranësirat të shtohen gradualisht, por mundësia për reshje është thuajse 0.
Maqedonia e Veriut
Pjesa e parë e ditës do të jetë në dominimin e kthjellimeve dhe kalimeve të lehta të vranësirave në zonat Veriperëndimore. Ndërsa gjatë pjesës së dytë të ditës pritet që vranësirat gradualisht të bëhen më të dukshme, por nuk do të mund të sjellin reshje. /abcnews.al