nga Isildo Musta
Padyshim të gjithë futbolldashësit do të kthejnë sytë mbrëmjen e sotme, në sfidën e parë gjysmë-finale të UEFA Champions League, sfidë kjo që do të përplasë në “mitikun” spanjoll të “Santiago Bernabeu”, “galaktikët” e Real Madrid me “qytetarët” e Manchester City në një “finale të parakohshme” të këtij kompeticioni.
Vendasit madrilenë të motivuar nga fitorja 2 me 1 në finalen e “Copa del Rey”, mbrëmjen e së shtunës ndaj Osasuna, duket se janë totalisht të “karikuar” për përballjen e sotme, me Champions League, që është i vetmi kompeticioni ku djemtë e teknikut Carlo Ancelotti kanë mundësinë për të fituar një tjetër trofe këtë sezon.
Të njohur si “padronët” e Ligës së Kampionëve, Real Madrid e ka fituar plot 14 herë “veshëllapushen” në historinë e tyre, ku më e fundit është finalja e vjetshme në Paris, ndaj Liverpool, ku e fituan me rezultatin minimal 1 me 0, pas golit të Vinicius Junior dhe po atë vit eleminuan në gjysmë-finale, “qytetarët” e Manchester City.
Në total këto klube janë ndeshur plot 8 herë midis tyre në historinë e këtij kompeticioni, me numrin e fitoreve që është i barabartë, nga 3 për secilin ekip dhe në 2 ndeshje janë ndarë në “paqe”, mirëpo nga 3 përballjet e tyre në fazën me eleminim direkt i vetmi rast, ku Guardiola triumfoi përballë “galaktikëve” është sezoni 2019/2020, sezon ku u pa një Madrid “i lodhur” e “i dërrmuar”, që ende nuk po “stabilizohej” nga largimi i 5 herë fituesit të “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo.
Kësaj here, sërish të uritur për një tjetër “veshëllapushe”, tekniku italian Carlo Ancelotti do t’i besojë “tridentit” të tij të sulmit, Vinicius Junior, Karim Benzema e Rodrygo, me këta të tre që ishin protagonistët absolut të gjysmë-finaleve të vitit të shkuar, me brazilianin Rodrygo, që me dopietën e tij në minutat 90’ dhe 91’ gjatë fundit të ndeshjes së kthimit në “Santiago Bernabeu”, largoi “kokëulur” djemtë e Manchester City nga Spanja.
Mirëpo, këtë herë pritet të jetë ndryshe, pasi jo vetëm madrilenët kanë një “as nën mëngë” në përballje të tilla, me bordin drejtues të Manchester City, që verën e kaluar realizuan një nga blerjet “më të mira” në historinë e merkatos futbollistike, afrimin e “bomberit” norvegjez, Erling Braut Haaland nga Borussia Dortmund për vetëm 60 milionë euro, shifër kjo e justifikuar në mënyrën më perfekte të mundshme nga “vikingu” i “qytetarëve”.
Me 51 gola në 46 paraqitjet në fushën e blertë me fanellën e Manchester City, “makineria” e golave të Pep Guardiola, nuk ka të ndalur, teksa këtë sezon vazhdon të thyejë rekord pas rekordi, me më “të freskëtin”, që ishte arritja e 35 golave brenda një sezoni të Premier League, sasi kjo e frikshme duke konsideruar që nuk është arritur kurrë më parë, me rekordin e mëparshëm që mbahej nga anglezët, Andy Cole e Alan Shearer, në sezonet 1993/94, 1994/94, në kohën kur në elitën e futbollit anglez zhvilloheni plot 42 ndeshje e jo 38 si tani.
Haaland ka “fatin” të bashkëpunojë me një nga “vizionarët” më të mirë në historinë e futbollit botëror, Kevin de Bruyne, me “djallin” belg, që ka furnizuar në çdo moment të mundshëm “përbindëshin” norvegjez me pasime kyçe, pasime të cilat ky i fundit nuk di t’i shpërdorojë dhe këtë e fakton fare thjeshtë sasia e madhe e golave që ka shënuar që në sezonin e tij të parë me fanellën e “bluve” të Manchester.
Për këtë arsye, norvegjezi pritet të jetë sot lojtari kyç në “planin e hakmarrjes” së teknikut Pep Guardiola, për atë gjysmë-finale të humbur vitin e shkuar, me teknikun spanjoll që prej 7 vitesh tashmë është në ndjekje të “veshëllapushes” aq të lakmuar nga të gjitha klubet e Evropës dhe mesa duket ky do të jetë sezoni ku pritjes do t’i vijë fundi dhe shkaktari i gjithë kësaj pritet të jetë vetëm “roboti” Haaland.
Përsa i përket formacioneve, tekniku Carlo Ancelotti pritet të përzgjedhë formulën e zakonshme 4-3-3 në përballjen e tij të radhës me “qytetarët”, me portën që si zakonisht do të mbrohet nga “shtatlarti” belg Thibaut Courtois. Në krahun e djathtë të mbrojtjes pritet të jetë Dani Carvajal, ndërsa francezi Edouard Camavinga pritet të vendoset nga e majta, me David Alaba e Antonio Rudiger që me shumë mundësi do të jenë dy të përzgjedhurit e sfidës së sotme nga tekniku italian, pas pezullimi të brazilianit Eder Miliato për shkak të kartonave.
“Dirigjimi” i lojës në mesfushës pritet t’i lihet në dorë treshes Valverde-Toni Kroos-Luka Modric, me këtë të fundit që vetëm pak ditë më parë supozohej që nuk do të ishte i pranishëm as në finalen e “Kupës së Mbretit”, por një aktivizim nga Ancelotti, në pjesën e dytë në përballjen ndaj Osasuna i jep “shpresë” tifozëve të “los blancos” se “arkitekti” kroat i mesfushës do e nisë përballjen sot si titullar. Ndërkaq, në “tridentin” e sulmit nuk ka mungesa, me italianin që preferon të vendosë në krahët e sulmit dyshen braziliane, Vinicius Junior-Rodrygo, ndërsa në qendër nuk ka si të mungojë “Topi i Artë”, Karim Benzema.
Në krahun tjetër, “maestro” Guardiola pritet t’i rreshtojë “qytetarët” me “shpikjen” e tij, formulën 3-2-4-1, ku në portë nuk ka se si të mungojë braziliani, aq shumë i preferuar nga tekniku spanjoll, Ederson. Në mbrojtjen me tre të padiskutueshëm janë “luzitani” Ruben Dias dhe mbrojtësi “helvet”, Manuel Akanji, ndërsa për zgjedhjen e tretë për teknikun Guardiola, mund të jetë një mes Nathan Ake e Kyle Walker.
Më të tërhequr në mesfushë ashtu si në sfidën ndaj “bavarezëve” të Bayern Munich pritet të jenë “katalizatori” i mesfushës, Rodri dhe “ish-mbrojtësi”, John Stones, i cili me paraqitjet e tij kohët e fundit në këtë pozicion ka treguar se mund të shkëlqejë, teksa ka gjetur 2 herë rrugën e rrjetës dhe ka dhuruar një asist, pa llogaritur këtu ndërhyrjet ekzakte në momentet e duhura. Nga krahët e mesfushës vijnë Jack Grealish e Bernardo Silva, me qendrën që mbulohet nga të zakonishmit Ilkay Gungodan e Kevin de Bruyne, me të gjithë të lartpërmendurit që do të jenë në “shërbim” të “terminatorit” të tyre, Erling Braut Haaland në “majën” e sulmit.
Tashmë, nuk na mbetet gjë për të shtuar, përveç se të presim me padurim orën 21:00, ku në “Santiago Bernabeu”, arbitri portugez Artur Soares Dias do të sinjalizojë fillimin e “aktit të parë” të gjysmë-finales mes 2 “gjigandëve” të futbollit evropian. /i.m /abcnews.al