Tërmeti vdekjeprurës në Marok/ Historia e mësueses që humbi të 32 nxënësit e saj

schedule22:45 - 15 Shtator, 2023

schedule 22:45 - 15 Shtator, 2023

Kur tërmeti i fuqishëm goditi Marokun, një mësuese mendoi menjëherë për nxënësit e saj dhe për mirëqenien e tyre.

Nesreen Abu ElFadel ndodhej në Marrakesh, por Adaseel, fshati malor që ishte shkolla ku ajo mësonte ishte më afër epiqendrës. Mësuesja e gjuhës arabe dhe frënge shkoi më pas në Adaseel për të kërkuar nxënësit e saj.

Më pas ajo zbuloi lajmin tronditës se të 32 nxënësit nga 6 deri në 12 vjeç, kishin vdekur.

“Shkova në fshat dhe fillova të pyesja për fëmijët e mi: “Ku është Somaya? Ku është Youssef? Ku është kjo vajzë? Ku është ai djalë?” Por më vonë mu përgjigjën dhe më thanë se: ‘Ata kanë vdekur të gjithë’.

“Po imagjinoja të mbaja fletën e frekuentimit të klasës sime dhe të thërrisja emrat e studentëve njëri pas tjetrit, por tani… ata kanë vdekur të gjithë”, tha ajo për BBC.

Fëmijët ishin në mesin e 3,000 njerëzve të vrarë nga tërmeti më i fortë i regjistruar ndonjëherë në Marok, i cili goditi mbrëmjen e 8 shtatorit.

Zonat më të goditura ishin ato në jug të Marrakeshit, ku shumë fshatra malorë u shkatërruan plotësisht. Adaseel ishte një nga ato vende.

Zonja ElFadel kujtoi se si kishte dëgjuar për atë që i ndodhi Hatixhes 6-vjeçare.

Ekipet e shpëtimit gjetën trupin e fëmijës të shtrirë pranë vëllait të saj Mohamed dhe dy motrave të saj, Mena dhe Hanan. Ata kishin qenë të gjithë në shtratin e tyre, ndoshta në gjumë, gjatë tërmetit dhe të gjithë shkonin në shkollën ku mësonte ElFadel.

“Khadija ishte e preferuara ime. Ajo ishte shumë e bukur, e zgjuar, aktive dhe i pëlqente të këndonte. Ajo vinte në shtëpinë time, dhe mua më pëlqente të studioja dhe të flisja me të.”

Mësuesja e gjuhës i përshkroi studentët e saj si “engjëj” dhe fëmijë të respektueshëm që ishin të etur për të mësuar. Pavarësisht se po luftonin me varfërinë dhe një krizë dërrmuese të kostos së jetesës, fëmijët dhe familjet e tyre e shihnin shkollën si “gjëja më e rëndësishme në botë”.

“Hera e fundit që iu dhashë mësim ishte të premten mbrëma, saktësisht 5 orë para se të godiste tërmeti,” tha mësuesja.

“Ne po mësonim himnin kombëtar të Marokut dhe planifikonim ta këndonim para gjithë shkollës të hënën në mëngjes”.

Pavarësisht zërit të saj të qetë, ElFadel është e traumatizuar. Ajo ende është e shokuar dhe e pikëlluar për atë që ndodhi me nxënësit dhe shkollën e saj.

“Unë nuk mundem të fle, jam ende në shok,” tha ajo.

“Njerëzit më konsiderojnë si një nga ata me fat, por nuk e di se si mund të vazhdoj të jetoj jetën time”.

ElFadel pëlqente t’u mësonte arabisht dhe frëngjisht fëmijëve në një fshat të populluar nga Amazigh,të cilët kryesisht flasin gjuhën e tyre, Tamazight.

“Arabishtja dhe frëngjishtja ishin shumë të vështira për t’u mësuar, por fëmijët ishin shumë të zgjuar dhe pothuajse i flisnin rrjedhshëm të dyja gjuhët,” kujton ajo.

Ajo ka në plan të vazhdojë karrierën e saj në mësimdhënie dhe shpreson që autoritetet do të rindërtojnë shkollën e Adaseel, e cila u shemb gjatë tërmetit.

Gjithsej 530 institucione arsimore janë dëmtuar në shkallë të ndryshme, duke përfshirë disa prej të cilave janë shembur plotësisht ose kanë pësuar dëmtime të rënda strukturore, sipas deklaratave zyrtare.

Qeveria marokene ka ndërprerë përkohësisht mësimet në zonat më të goditura.

“Ndoshta një ditë kur ata të rindërtojnë shkollën dhe klasat të kthehen në sesion, ne mund t’i përkujtojmë ata 32 fëmijë dhe të tregojmë historinë e tyre,” tha ElFadel.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!