Tërmeti që “gjunjëzoi” Shqipërinë: Bilanci i rëndë i viktimave nën rrënoja

schedule20:00 - 29 Nëntor, 2019

schedule 20:00 - 29 Nëntor, 2019

Tërmeti i fuqishëm që goditi vendin tonë të martën në mëngjes i mori jetën 49 personave. Ky bilanc i rëndë jetësh të humbura nën rrënoja është shënuar në Thumanë dhe Durrës. Ditën e sotme nuk u raportua për njerëz të gjetur nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vijuar vetëm në një hotel në Durrës, “Mira Mare”. Nën gërmadhat e këtij hoteli të shkatërruar dyshohet se mund të jenë njerëz.

Durrësi ka numrin më të lartë të viktimave, 25 jetë të humbura. Në Durrës goditjet e tërmetit shkatërruan plotësisht dy hotele në zonën e plazhit, dy pallate në qytet si dhe një banesë trekatëshe në zonën e ish-Kënetës. Ndërsa në Thumanë, ku kërkimet janë mbyllur që ditën e djeshme, ishin 23 persona që humbën jetën nën rrënojat e dy pallateve të shembur.

Këtë të premte, Rama deklaroi edhe përfshirjen e Laçit në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të dëmeve të mëdha që ka lënë atje tërmeti.

Ndërkohë, njerëzit të cilëve banesat u janë dëmtuar janë zhvendosur të palestra të ndryshme.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka deklaroi sot se janë 4 mijë banorë që nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ky numër, sipas saj, mund të rritet në vijim.

Gazetarët e ABC NEWS gjatë ditës së sotme kanë raportuar për banesa që janë zhytur disa kate në dhe, siç ishte dhe banesa 5-katëshe së cilës në sipërfaqe i kishte ngelur vetëm papafingoja. Janë shumë banesa të tjera në situatë të ngjashme, ndërkohë vlerësimi i tyre nga strukurat e specializuara ka nisur.

Gjatë ditës së sotme janë shënuar disa lëkundje të dobëta. Ministrja e Mbrojtjes këtë paradite u shpreh se intensiteti i goditjeve është në rënie por i bëri thirrje qytetarëve që të mos kthehen në banesat që të mos jenë në rrezik për jetën./abcnews.al