Për situatën e krijuar nga tërmeti në Korçë ka reaguar Presidenti i Republikës Ilir Meta. Kreu i shtetit u bën thirrje dhe nxit të gjitha autoritetet qendrore dhe lokale, që të analizojnë me përgjegjësi këto pasoja, si dhe të marrin masa të menjëhershme në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore duke u garantuar shërbim shëndetësor, pajisje me ushqim e ujë të pijshëm dhe sistemimin në ambiente të përshtatshme strehimi.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për të dedikuar urgjent fonde për shtëpitë e dëmtuara. Nuk duhet humbur asnjë çast për shkak të paaftësisë apo lojërave politike por duhet vepruar menjëherë me fonde e veprime konkrete për të ndihmuar banorët e goditur- është apeli i kryedemokratit Basha./ABC News Albania 24/7