Tërmeti, Balluku: Qeveria do të rindërtojë të gjitha shtëpitë e dëmtuara

schedule16:03 - 25 Shtator, 2019

schedule 16:03 - 25 Shtator, 2019

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë një inspektimi në zonën e Manzës në Durrës premtoi se të gjitha banesat e dëmtuara nga tërmeti do të rindërtohen nga qeveria.

Kjo është banesa e familjes Sula në zonën e Manzës, e cila është dëmtuar nga tërmeti i së shtunës dhe tashmë është e pabanueshme. Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës pa nga afër dëmet e shkaktuara së bashku me kryebashkiaken e Durrësit.

“Kjo është një situatë e vështirë për t’u përballuar, shirat e bënë akoma më të vështirë. Por mos ju afroni kësaj ndërtese. Unë e di që kjo është shtëpia juaj, e di që zemra ju dhemb dhe doni të futeni brenda, por duhet t’i qëndroni larg. Kur aktet e konstatimit të inxhinierëve tregojnë, që janë të pabanueshme duhet t’i respektojmë, sepse nuk e dimë se çfarë tragjedie na vjen nga pas”, tha Balluku.

Ministrja Balluku tha se të gjitha instancat shtetërore ndodhen në terren dhe po shkojnë në çdo shtëpi, për t’u ofruar ndihmën e duhur. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku siguroi familjarët, se janë marrë të gjitha masat, që sapo të përfundojë procesi i vlerësimit të dëmeve të nisë puna për rindërtimin e shtëpive të tyre./ABC News Albania 24/7