Drejtori i Konvaleshencës së Durrësit Ahmet Doda lirohet nga gjykata e Apelit. Togat e zeza kanë vendosur për të masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” dhe gjithashtu e kanë pezulluar nga ushtrimi i funksioneve publike.
Ahmet Doda ishte shtruar në spital pas arrestimit në 14 dhjetor.
Gjykata e Apelit në Durrës liroi nga qelia drejtorin e shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme Ahmet Doda. Togat e zeza i kanë caktuar masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Ai ishte mes 9 të arrestuarve pas tërmetit të 26 nëntorit në Durrës dhe mbi të rëndon akuza “shpërdorim detyre”. Nga rrëzimi i një pjese të Konvaleshencës humbi jetën pedagogu i Akademisë së policisë Bajram Hajdarmetaj.
Pavarësisht se Konvaleshenca ishte shpallur objekt i pabanueshëm nga tërmeti i 21 Shtatorit, Hajdarmataj u lejua të qëndronte aty, ç’ka rezultoi fatale, pasi objekti u shemb nga tërmeti 6.4 i shkallës Rihter në 26 Nëntor.
Doda ishte arrestuar në datë 14 dhjetor, ndërsa një ditë më pas ai ishte shtruar në spital për shkak të problemeve shëndetësore.
Për këtë arsye avokati i tij kërkoi një masë më të lehtë sigurie, kërkesë e cila u pranua nga gjykata e Apelit edhe nga grupi i prokurorëve, të njëjtët që 10 ditë më parë kërkuan për Dodën masën e sigurisë “arrest në burg”.
Prokurorët kërkuan gjithashtu caktimin e masës së sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.
Ish-kryeministri Sali Berisha e kishte paralajmëruar që më 14 dhjetor, lirimin e Drejtorit të shtëpisë së pushimit në Ministrinë e Brendshme Ahmet Doda.
Sipas tij ai do të përfitonte për shkak të lidhjeve farefisnore me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.
8 të ndaluarit e tjerë janë lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Shkalles së parë në Durrës, ndërsa të hënën pritet të përballen në Gjykatën e Apelit ku kanë bërë ankimim të masës së sigurisë.
Pas tërmetit në Durrës, që shkatërroi totalisht disa ndërtesa, ku pati edhe viktima, janë shpallur në kërkim edhe 9 persona të tjerë, disa prej të cilëve dyshohet se janë jashtë vendit./abcnews.al