Tërmet i fuqishëm 5.1 ballë i shkallës Rihter trondit Athinën

schedule18:45 - 19 Korrik, 2019

schedule 18:45 - 19 Korrik, 2019

Kryeqyteti grek është tronditur pak pas mesditës së kësaj të premte nga një tërmet 5.1 ballë. Lëkundjet sollën jo vetem panik tek qytetarët e turistët, por edhe kaos në trafik, energji dhe telekomunikacion.

Një tërmet me magnitudë 5,1 gradë është shënuar të premten në mesditë në Greqi. Lëkundjet e tërmetit u ndjenë fuqishëm edhe në Athinë, ku banorë e turistë qëndruan për mjaft kohë të grumbulluar rrugëve dhe shesheve. Epiqendra e tërmetit u lokalizua 23 km në veriperëndim të Athinës. Sipas sizmologëve, vatra ndodhet në të njëjtën zonë nga kishte ardhur tërmeti i shtatorit 1999, që shkaktoi 123 të vdekur. Nga tërmeti i të premtes nuk janë raportuar të lënduar.

Dëmet materiale janë të kufizuara dhe kryesisht në banesa të vjetra. Copëra mermeri janë shkëputur nga fasadat e disa kishave, por edhe nga godina e parlamentit. Menjëherë pas tërmetit pati ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike, por edhe të telekomunikacioneve. Kompanitë e telefonisë celulare u rekomanduan qytetarëve të përdornin rrjetet alternative si viber, WhatsApp dhe Messenger. Shërbimit zjarrfikës iu desh të ndërhyjë në më shumë se 20 raste për të nxjerrë njerëz që ishin bllokuar nëpër ashensorë. Trafiku ishte i rënduar jashtëzakonisht në gjithë akset që lidhin Athinën me pjesën tjetër të vendit. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!