Tërheqja e Trump, reagon Irani: Do t’i përmbahemi marrëveshjes

schedule22:56 - 8 Maj, 2018

schedule 22:56 - 8 Maj, 2018

Në reagimin e parë pas njoftimit të Trump, Irani ka deklaruar se do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore me aktorët e tjerë të saj. Ndërkohë, aleatët europianë të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur keqardhjen për vendimin e Trump.

Presidenti iranian, Hassan Rouhani, ka reaguar menjëherë pas vendimit të Trump për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore, duke deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë t’i përmbahet asaj pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara. Rouhani ka akuzuar palën amerikane se nuk ka zbatuar asnjë nga zotimet e marra përsipër në kuadër të paktit të tre viteve më parë.

“Marrëveshja nuk ishte dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por ishte një marrëveshje ndërkombëtare e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, ka thënë Rouhani.

Nuk kanë munguar as reagimet e aleatëve europianë të Uashingtonit. Kryeministrja britanike Thersa May ka thënë se ndihet shumë e keqardhur për vendimin e Trump, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka bërë me dije se Franca do të vazhdojë të punojë për një marrëveshje më gjithëpërfshirëse me Iranin.

“Franca, Gjermania dhe Britania ndihen të dëshpëruara nga vendimi i Shteteve të Bashkuara për të braktisur marrëveshjen. Por ne do të punojmë bashkarisht për një marrëveshje më gjithëpërfshirëse, që të përfshijë aktivitetin bërthamor, atë balistik dhe periudhën post vitit 2025”, ka thënë Macron.

Por reagime ka patur edhe nga vetë brenda Amerikës. Ish-sekretari i Shtetit, John Kerry ka deklaruar se tërheqja nga marrëveshja dobëson sigurinë e Amerikës, “e cila në këtë mënyrë shkel fjalën e dhënë”, ka thënë Kerry.

Ndërsa ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley është shprehur se presidenti ka marrë vendimin më të mirë. Ndërkohë, Rusia, përmes zëvendës ambasadorit të saj në OKB, Dmitry Polyansky, është shprehur e zhgënjyer nga ky vendim./abcnews.al