Wilfried Zaha pati disa oferta të rëndësishme këtë verë. Arsenali ishte klubi që e deshi me më shumë ngulm, duke ofruar 80 milionë euro. Më pas edhe Evertoni e kërkoi, por Crystal Palace nuk hoqi dorë nga sulmuesi kryesor.
Sulmuesi gjithsesi thekson se po bën më të mirën për klubin e tij: “Ka gjëra që më kanë thënë dhe nuk ndodhën. Nuk isha i lumtur për këtë, por jam pjesë e Palace dhe dua të bëj më të mirën për klubin. Tifozët kujdesen që ne të jemi mirë dhe unë gjithmonë do e dua Crystal Palace, pavarësisht çfarë ka ndodhur”.
Palace e ka nisur keq kampionatin, teksa deri më tani ka shënuar tre gola në pesë ndeshje. Zaha nuk ia ka dalë ende të zhbllokohet, apo të japë ndonjë asist. Gjithsesi ai thekson se duhet që edhe shokët e skuadrës të bëjnë pjesën e tyre, pasi i vetëm nuk mund të bëjë asgjë.
“Pavarësisht sa shumë bëj në fushë, unë nuk mund të luaj në çdo pozicion. Unë jap 100 për qindëshin tim, por janë 11 lojtarë në fushë që duhet të kenë peshën e tyre në lojë. Unë bëj punën time, por edhe të gjithë të tjerët duhet ta bëjnë”, është shprehur për faqen e tifozëve, HLTCO. /abcnews.al