Teqja: Superiorja, si liga e dytë në Francë! Dueli me Milanin kujtimi më i mirë

schedule19:10 - 14 Shkurt, 2021

schedule 19:10 - 14 Shkurt, 2021

“Kjo zgjedhje ishte një surprizë e madhe në vendin tim. Askush nuk e kuptonte se përse duhej të largohesha nga Kategoria Superiore e Shqipërisë për në kategorinë e katërt në Francë”, rrëfen Olsi Teqja, mbrojtësi që në Superiore ka luajtur me skuadra si Tirana, Kukësi, Bylisi, Laçi dhe Kastrioti. Pa u mbyllur sezoni i shkuar ai mori lejekalimin dhe nënshkroi me Beauvais. Një lëvizje jo e rastësishme, sikurse ka treguar Teqja për “Le Parisien”.

“Partnerja ime është volejbolliste e ekipit të Partizanit në Shqipëri.  Ajo gjeti punë në aeroportin e Beauvais dhe pashë se klubi i futbollit kishte një ekip dhe infrastrukturë të mirë. U dhashë fjalën zyrtarëve të klubit dhe firmosa për dy vite. Kam si qëllim t’i shkoj deri në fund kësaj aventure edhe për më tepër kohë”.

Teqja firmosi, edhe pse Sara nuk u punësua dot për shkak të pandemisë. Mbrojtësi mbajti fjalën dhe normalisht i duhet të përballet edhe me vështirësitë: “Me situatën aktuale gjithçka është ndërlikuar. Gruaja ime mezi vjen në Francë. Por, e përballoj një gjë të tillë”. Teqja është pyetur edhe në lidhje me Superioren dhe më saktë i është kërkuar një krahasim me futbollin francez.

“Superiorja është një kampionat shumë i mirë, megjithëse është pak i panjohur në Francë. Për mua, është në të njëjtin nivel me ligën e dytë franceze. Të gjithë mbrojtësit e zgjedhur të kombëtares luajnë në Serinë A italiane. Prandaj doja të provoja fatin tim në Francë. Është e vetmja rrugë për të ecur përpara”, shton futbollisti kryeqytetas.

Kur ishte pjesë e Shkëndijës, Teqja provoi të luante edhe kundër Milanit në kualifikueset e Europa League. “Jam një tifoz i Milanit. Përballja me ta është kujtimi më i mirë i karrierës sime. Për ne ishte një arritje që të mundeshim 0-1 në Maqedoninë e Veriut nga një klub legjendar. Rasti solli që gjatë kontrollit anti-doping të takohesha me Giacomo Bonaventura (tani te Fiorentina) Bisedova një orë me të. Mbetet një moment magjik për mua”, përfundon Teqja. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!