Tentuan të shisnin euro të vjedhura në bankat e Evropës, arrestohen dy persona në Shijak

schedule10:22 - 20 Maj, 2024

schedule 10:22 - 20 Maj, 2024

Dy persona janë arrestuar në Shijak pasi tentuan që të shisnin në treg një shumë eurosh (me bojë sigurie) të vjedhura në banka të shteteve të BE-së. Në pranga kanë rënë Taulant Demerxhiu, 33 vjeç, dhe Vladimir Kokomani, 43 vjeç.

Policia njofton se në automjetin me të cilin lëviznin këta dy shtetas u gjetën 80 000 euro që dyshohet se janë vjedhur në banka të shteteve të BE-së, me qëllim shitjen në tregun e brendshëm.

Ndaj tyre rëndojnë akuza për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

“Policia ka vënë në pranga këta dy persona, që sipas dëshmive, dyshohet se ato para do të shiteshin me një vlerë më të ulët se 18 mijë euro në tregun e zi, duke i konvertuar në pikat valutore, jo të licensuara. Janë persona që dyshohet se këto para i kanë marrë nga persona të tjerë, që kanë bërë grabitjen jashtë Shqipërisë dhe do t’i shisnin tek të tjerë. Nuk janë këta që kanë grabitur bankën në vendet e BE-së, që ende nuk është përcaktuar.“, raportoi gazetari Leonidha Musaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!