Një shqiptar i cili pretendon se është trafikuar në Britani, kishte ndihmuar në ngritjen e një ferme me kanabis në një shtëpi në Leeds. Kreshnik Zyberaj, 46 vjeç, u kap nga policia, pasi gjurmët e gishtave të tij u gjetën në një kanoçe, në një shtëpi në Queensëood Drive. Në banesë u gjetën 200 bimë kanabisi.
Të gjitha bimët ishin në rritura dhe ata ndodheshin në dhomat e gjumit dhe në dhomën e ndejes. Policia kishte bastisur në banesë më 13 Gusht të vitit 2017 kur bëri zbulimin e madh.
Prokurori i çështjes Matthew Harding tha se nga shitja e lëndës narkotike mund të përfitohej një shumë prej 60,000 dollarë.
Ndërsa Zyberaj, u arrestua më 30 Janar të këtij viti kur oficerët e policisë e ndaluan atë ndërsa po drejtonte një kamion në Doncaster. Gjatë momentit të ndalimit Zyberaj, u kishte dhënë oficerëve një kartë identiteti me emër të rremë dhe ishte përpjekur të ikte.
Por gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin që ai drejtonte policia gjeti 129 rrënjë kanabisi. Por kur policia e kishte dërguar në komisariat, Zyberaj u kishte dhënë emrin e tij të vërtete dhe datën e lindjes.
Ai u deklarua fajtor për dy vepra “të komplotit për prodhim droge” dhe “posedim të dokumentit të identitetit të rremë”. Avokati Michael Collins, tha se klienti i tij pretendon se është trafikuar në Britani të Madhe.
“Ai u largua nga Shqipëria, duke paguar një shumë të madhe parash, duke u futur nga ana e pasme e një kamioni. Atij i ishte premtuar punë e ligjshme”, tha avokati.
Gjykatësi Christopher Batty shtyu seancën, me qëllim për hetime të mëtejshme lidhur me pretendimet e të pandehurit para se ai të dënohet.
Gjykatësi i tha Zyberajt: “Në informacioni që i ke dhënë avokatit Collins, ju pretendoni se jeni trafikuar. Autoritetet janë të detyruara të hetojnë pretendimet tuaja dhe nuk do të ishte e drejtë për mua që thjesht t’i shpërfill ato pretendime dhe të mos lejoj hetim”.
Seanca e radhës ndaj tij do të mbahet më 22 Gush ku Zyberaj pritet të dënohet./abcnews.al