FIER- Një person u gjet i pajetë në një banesë ku dyshohet se ka shkuar për të vjedhur.
Vëllai i pronarit të banesës që ra pre e grabitjes, Nikollaq Lule ka folur lidhur me ngjarjen e ndodhur në lagjen 18 Shkurti në Fier. Ai tregoi se vëllai i tij ishte në Greqi për Pashkët, ndërsa autori i grabitjes ishte i veshur me kapuç e doreza dhe ishte gjetur pa jetë nga një person që e kishin lënë për të parë banesës.
Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Vëllai ka ikur te fëmijët, ka një muaj. Do kalonte Pashkët dhe do vinte. Unë isha para dy ditësh dhe nuk pashë gjë. Por vëllai ka lënë një komshi këtu që vjen për të ushqyer qenin. Kur ka ardhur sot në mëngjes ka gjetur një person në dritare dhe kishte lajmëruar policinë dhe vëllain. Vëllai më lajmëroi edhe mua. Erdhi policia bëri verifikimet. Duket se ka tentuar të hyjë te kjo derë dhe ka thyer xhamin, por nuk ka gjetur gjë. Më pas ka ardhur te dritarja e shtëpisë, por xhamat janë të vegjël, por duket se ka tentuar të futet dhe ka ngecur gjysmë trupi dhe nuk dilte. Zotëria që vjen ushqen qenin në mëngjes e gjeti të varur. Unë nuk jetoj këtu erdha se kisha çelësat e shtëpia dhe më mori polica. Mendoj se mund të jetë 35 vjeç”, tha ndër të tjera ai.


