Morinë- 44-vjeçari nga Kosova është proceduar penalisht, pasi tentoi të hynte në Shqipëri me 19 mijë euro të padeklaruara.
Shuma e eurove është sekuestruar nga policia.
“Në kuadër të punës policore që kryhet në bazë të analizës së riskut, me objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në hyrje të Shqipërisë, kaluan për kontroll të detajuar, në vijë të dytë, automjetin tip “Audi A8”, në të cilin ishte pasagjer shtetasi 44 vjeç, banues në Prishtinë. Nga kontrolli fizik, atij i janë gjetur 19 000 euro që nuk i kishte deklaruar në pkk, konform ligjit në fuqi. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 44-vjeçarin, si dhe u sekuestrua shuma e parave”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.