Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e ndodhur në Durrës, ku një 44 vjeçar tentoi të abuzonte seksualisht me vajzën e tij të mitur. Gazetari Leonidha Musaj raporton se ngjarja ka ndodhur paraditen e së shtunës në lagjen nr.15, ku babai në gjendje të dehur ka tentuar të abuzojë me 13 vjeçaren.
Gazetari raporton se vajza ka arritur të njoftojë kushërinjtë që jetojnë pranë, të cilët më pas kanë lajmëruar menjëherë policinë. Sakaq, 44 vjeçari ka mohuar gjithçka në polici duke thënë se gruaja dhe e bija kanë inskenuar gjithçka për t’u ndarë pasi shkonte përherë në shtëpi në gjendje të dehur.
“Fillimisht ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nënës së vajës, dhe pasi e ka nxjerrë nga shtëpia ka tentuar qe të kryejë veprime të turpshme me vajzën 13 vjeçare. Vajza ka arritur që të lajmërojë kushërinjtë e saj, të cilët ndodhen në të njëjtën zonë dhe kanë mbërritur në kohë duke parandaluar këtë ngjarje. Më pas është lajmëruar edhe policia, ku janë marrë masat e menjëhershme duke vënë në pranga 44 vjeçarin. Ishte një person i dehur edhe në momentet që ka ndodhur ngjarja. Ka mohuar gjithçka, duke deklaruar se nëna dhe e bija kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrin për t’u ndarë nga ai pasi nuk e duronin në shtëpi sepse shkonte në gjendje të dehur dhe krijonte konflikte të panevojshme në banesë. në këtë mënyrë, ka deklaruar se kanë ngritur një kurth në drejtim të tij”, tha gazetari.