“Tentohet shpërqendrimi ynë”, Partizanin e “tërbojnë” lajmet për Dajën

schedule12:40 - 2 Korrik, 2020

schedule 12:40 - 2 Korrik, 2020

Partizani është zgjuar dhe ka reaguar pas zërave që po tentohet për pankinën Ilir Daja. Klubi i kuq, përmes një deklarate për shtyp, ka sqaruar se beson maksimalisht te stafi i tyre dhe këtë qëndrim e bëjnë në respekt të garës dhe detyrimit moral që kanë ndaj stafit dhe tifozëve të tyre.

REAGIMI I PARTIZANIT – “Nisur nga lajmi që prej ditësh po qarkullon në media dhe portale të ndryshme në vend, FK Partizani ka detyrimin moral përkundrejt opinionit sportiv, por sidomos ndaj punonjësve dhe tifozerisë së skuadrës, për të përgënjeshtruar lajmin se klubi është në kontakte me trajnerë të tjerë për të marrë drejtimin e ekipit.

FK Partizani dëshiron të informojë, sqarojë mediat dhe sportdashësit, se stafi teknik gëzon besimin dhe mbështetjen e drejtuesve të klubit për të punuar të qetë në arritjen e objektivit të mbetur në këtë sezon jo normal si ky i këtij viti, i kushtëzuar thellësisht nga situata e krijuar prej pandemisë.

Saktësojmë se këto lajme nuk bëjnë gjë tjetër përveçse tentojnë të shpërqendrojnë ekipin nga detyra për ta mbyllur këtë fund kampionati me përpjekjet maksimale. E vlerësojmë dhe respektojmë trajnerin Ilir Daja për atë çka arritur në drejtimin e mjaft ekipeve në kampionatin tonë, ashtu si respektojmë dhe klubin e Skënderbeut për kampionatin dinjitoz që po zhvillon, por ky reagim i yni vjen për të respektuar garën dhe mos prishur kurrsesi ekuilibrat në këtë fund sezoni.

Ndaj kërkojmë nga të gjitha mediat që të jenë korrekte në pasqyrimin e informacioneve, ashtu sikurse Partizani mbetet gjithmonë bashkëpunues me të gjithë dhe kërkon të trajtohet në të njëjtën mënyrë”, shkruhet në qëndrimin e klubit të Partizanit. /abcnews.al