“Pjesa e Grupit Parlamentar që unë përfaqësoj shtriu dorën e bashkëpunimit për të mirën e demokratëve, por pala tjetër nuk ishte e hapur për të gjetur një zgjidhje ngërçeve sa i përket zgjedhjeve lokale.” Kështu është shprehur deputeti demokrat Gazment Bardhi kur u pyet në “Radari Informativ” në ABC rreth arsyes se përse dështuan negociatat mes dy pjesëve të PD-së për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet lokale të pranverës që vjen.
Bardhi shpjegoi se pala që përfaqësonte Edi Paloka i qëndroi kushtit për njohjen e statutit të “11 dhjetorit.” Sipas deputetit demokrat grupimi i Berishës kërkonte që brenda statutit të tyre të krijoheshin hapësirat e nevojshme apo të mundshme për bashkëpunim.
Megjithatë, ai theksoi se qëllimi i negociatave nuk ishte që dy palët e PD-së të zgjidhnin çështjet që po i ndajnë prej një viti, por që të gjenin gjuhën e përbashkët për zgjedhjet lokale.
Ndërsa përmendi draftin e propozuar për bashkëpunim, Bardhi shtoi se pika tre e atij drafti i pranon primaret, por shton edhe sondazhet në mënyrë që veç anëtarësisë, të ketë mundësi edhe publiku të shprehë vullnetin për kandidatët.
“Kush i drejton primaret? I kam dorëzuar me shkrim propozimet e mia. Pika tre i pranon primaret, votën dhe njeh një proces të ndjekur në mënyrë konsensuale. Ata thonë të njohësh procesin tim, që e drejtoj unë, me rregulla që i caktoj unë…”
Gazment Bardhi shtoi se propozimi i tij ishte një platformë e mesme që akomodonte brenda saj sensibilitet që kanë të dyja grupimet.
Por ku ngecën bisedimet?
Bardhi thotë se për sondazhe, kolegët e tyre u shprehën se nuk kanë para. Dhe pika tjetër ku palët nuk kanë rënë dakord është organizimi i përbashkët i primareve.
“Nuk kisha hyrë në bisedime për të bërë pazare. Primaret janë pranuar, ajo që kemi shtuar ka të bëjë me balancimin e opinionit të anëtarëve të partisë dhe vrojtimit të opinionit publik. Argumenti ishte qesharak, nuk kemi para për të bërë sondazhe…Nuk ramë dakord edhe për këshillin drejtues. Na thanë që do të kishim të drejtë të merrnim pjesë të marrim në primare. Për këtë nuk kishim nevojë për leje. Duhej të kishim përfaqësues në komisionet që ngriheshin. Të na akomodonin brenda statutit të tyre. Praktikisht kërkonin të njihnim statutin e tyre.”
I pyetur nëse ka ende ndonjë mundësi që PD të shkojë e bashkuar në këto zgjedhje, Gazment Bardhi tha se ajo pjesë e të djathtëve që ai përfaqëson do të jetë e hapur për bisedime.
Por, edhe nëse gjërat nuk ecin si duhet, “PD mund të sigurojë kandidatë jo vetëm për 61 por edhe 610 bashki nëse do të jetë e nevojshme,” shtoi Bardhi.
Megjithatë, nga sa u shpreh deputeti demokrat, pala e Berishës e ka të panegociueshëm njohjen e statutit të “11 dhjetorit” dhe organizimin e Primareve “në mënyrë të njëanshme.” /abcnews.al/