Tentativat për bllokimin e integrimit/ Nazarko: Greqia s’mund ta kthejë Belerin në çështje evropiane, Shqipëria të luajë rol më proaktiv

schedule17:40 - 29 Nëntor, 2023

schedule 17:40 - 29 Nëntor, 2023

Pas Gjermanisë, edhe presidenca spanjolle e BE kritikoi Athinën për qëndrimin bllokues ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit evropian për shkak të çështjes Beleri. Burime diplomatike të cituara nga Kathimerini, thonë se presidenca spanjolle e unionit është “veçanërisht e acaruar” me palën greke.

Analisti Mentor Nazarko theksoi se qëndrimi kundërshtues i Gjermanisë dhe Spanjës ndaj Greqisë për këtë çështje është i favorshëm për Shqipërinë. Për “Newsline” me Viol Xhafaj, analisti tha se Beleri nuk është çështje evropiane dhe se Greqia nuk mund ta shndërrojë qëndrimin e saj individual në kolektiv.

“Kjo është një zhvillim interesant dhe i favorshëm për Shqipërinë, që është afirmim i rritjes së fuqisë ndërkombëtare të Shqipërisë. Konkretisht rritjes së reputacionit që Shqipëria ka veçanërisht tek shtetet drejtuese të BE-së dhe në një kontekst si ky praktikisht Greqia e ka të vështirë që të adoptojë masa me karakter dypalësh. Fakti që në lidhje me këtë temë ka reaguar gazeta më serioze greke Kathimerini është dëshmues i asaj që Greqia po vuan që ta shndërrojë qëndrimi e saj individual në qëndrimin kolektiv të BE-së. Unë nuk di të them nëse ka interesa të politikës së brendshme por dinjiteti i një fuqie të mesme apo rajonale si Greqia konsiderohet i prekur në momentin ku Shqipëria ka refuzuar publikisht që të zbatojë urdhrat e saj lidhje me çështjen Beleri. Kjo çështje nuk konsiderohet si një çështje evropiane dhe BE, në kushtet kur Ballkani konsiderohet se mund të jetë një vatër e dytë krize në Evropë pas asaj të Ukrainës, nuk dëshiron që sherret e vogla ndër ballkanike të anëtarëve të saj problematikë si Greqia po Bullgaria të shndërrohen në qëndrime kolektive. Duket e largët ajo periudhë ku pas një embargoje të gjatë të Greqisë ndaj Maqedonisë pastaj të Bullgarisë, të imagjinohet se e njëjta gjë të mund të ndodhë me Shqipërinë.”, u shpreh Nazarko.

Sipas tij, edhe Shqipëria duhet të jetë më proaktive në këtë çështje. Ai thotë se, ashtu sikurse po vepron Greqia duke tentuar të bllokojë integrimin evropian, edhe Shqipëria duhet t’i tregojë unionit se kush është në të vërtetë Fredi Beleri dhe se “cila është domethënia e kësaj bllokade greke ndaj Shqipërisë”.

“Tashmë jemi në fazën ku pas mbylljes së procesit screenning. Shqipëria duhet të marrë një letër kolektive për vijimin e negociatave, të firmosur nga të gjithë shtetet anëtare. Greqia nuk e dërgoi por kemi afat deri në fund të vitit, por siç e thashë është tregues i qartë kjo mbështetje evropiane, që Shqipëria gëzon kuota të larta tek vendet më të rëndësishme të BE-së apo tek të gjithë vendet pa dallim, veçanërisht me politikat e saj qoftë në kuadër të Këshillit të Sigurimit apo me konstrastimin në lidhje me emigracionin e paligjshëm, si marrëveshja Meloni, e cila gëzoi mbështetjen e kancelarit Scholz. Në këtë kontekst si ky, Greqia e ka shumë të vështirë që një çështje si ajo e Belerit ta shndërrojë në një çështje evropiane. Natyrisht Greqia përdor në planin juridik argumente, të cilat ngjajnë të lidhur me Konventën Evropiane të të drejtave të njeriut, me parime universalisht të vlefshme si ai i prezumimit të pafajësisë apo procesi i rregullt ligjor por dyshoj që Greqia, të paktën në këtë fazë, ta ketë të lehtë për ta imponuar sjelljen e saj kolektivisht. Pres që Shqipëria të jetë më proaktive në lidhje me këtë çështje, figura e Belerit duhet propaganduar. Një dosje e ngjashme me atë që Greqia shpërndan kundër nesh në arenën evropiane, do të duhet shpërndarë vendeve anëtare të BE-së për të treguar se kush është në të vërtetë Beleri. Se cila është domethënia e kësaj bllokade greke ndaj Shqipërisë dhe me cilin personazh ndërlidhen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Pra, duhet treguar qartësisht që Beleri është një figurë e errët, nuk është përfaqësues i pakicës greke kështu që nuk është ky rasti që BE të ndjekë pas Greqinë në bllokimet që i bën njëherë Maqedonisë, pastaj Shqipërisë, nesër Kosovës etj”, u shpreh Nazarko./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!