Disa policë të Kosovës dhe civilë serbë u plagosën këtë të mërkurë në përleshjet që shpërthyen gjatë bastisjeve kundër kontrabandistëve të mallrave me origjinë serbe në veriun e tensionuar të Kosovës.
Lidhur me këtë ngjarje ka ardhur një reagim nga Ish-i Dërguari i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili shprehet se kjo është një shkelje e marrëveshjes së Brukselit. Më tej Grenell thekson se ka manipulime politike nga disa persona në Prishtinë para zgjedhjeve lokale të së dielës dhe duhet të ndalen. Po ashtu Grenell ka bërë thirrje presidentit të SHBA, Joe Biden që të mos heshtë lidhur me këtë situatë të paprecedentë.
“Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe duhet të ndiqet – kjo është një shkelje e saj. Manipulimet politike nga disa në Prishtinë para zgjedhjeve lokale të së dielës në Kosovë duhet të ndalen. Kjo është e rrezikshme dhe e pamatur. Joe Biden gjithashtu nuk duhet të heshtë për këtë situatë.” shprehet Grenell.
Policia e Kosovës nisi sot një aksion kundër kontrabandës në disa qytete, përfshirë pjesen veriore të vendit. Aty hasi edhe në probleme. Situata u tensionua shpejt. Si pasojë e rezistimit të serbëve, duke gjuajtur me sende e duke sulmuar me grushte policët, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Mitrovicës.
Policia njoftoi për gjashtë zyrtarë policorë të lënduar, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Gjithashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar. Gjatë këtij aksioni janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje. /abcnews.al/