Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka kërkuar që barrikadat e ngritura në veri të Kosovës të largohen menjëherë “nga grupet e serbëve të Kosovës”.
“Barrikadat duhet të largohen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Qetësia duhet të restaurohet”, shkroi Borrell në Twitter.
Në veri të Kosovës janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal pas arrestimit të ish-pjeëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai akuzohet se “ka organizuar sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.
Të shtunën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se barrikadat e “kriminelëve me maska” të ngritura në veri të Kosovës, duhet të hiqen menjëherë.
Situatën në këtë pjesë të Kosovës janë duke e monitoruar Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
EULEX ka konfirmuar se një shok bombë është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit. Shefi i diplomacisë evropiane e ka dënuar këtë sulm.
“BE-ja nuk do të tolerojë sulme ndaj EULEX-it ose përdorimin e veprimeve të dhunshme, kriminale në veri. EULEX-i do të vazhdojë të koordinohet me autoritetet në Kosovë dhe KFOR-in. Të gjithë akterët duhet t’i shmangen përshkallëzimit”, tha tutje Borrell në Twitter.
Sulmin ndaj patrullës së EULEX-it e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, që ka kërkuar që autorët e këtij sulmi të mbahen përgjegjës.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova po punon me KFOR-in për ta adresuar situatën “shpejt dhe në mënyrë paqësore”.
Të dielën, edhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka kërkuar nga qytetarët në veri të lejohet lëvizja e KFOR-it dhe EULEX-it, duke thënë se “prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”.