Fatmir Sheholli nga Instituti për marrëdhëniet ndëretnike në një intervistë për “Ballkan Update” komentoi situatën e tensionuar të krijuar prej disa ditësh në veri të Kosovës. Ai kritikoi qëndrimin e krerëve të Kosovës pas situatës së krijuar dhe reagimeve të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare.
“Ajo që duhet theksuar është një heshtje e frikshme e kryetares së shtetit, zonjës Vjosa Osmani, e kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe heshtje e përgjithshme e kryeministrit Albin Kurti. Kjo heshtje nga krerët e Kosovës, në situata të tilla mjaft delikate, mund të themi se janë edhe si pasojë e gjithë kësaj që këtyre ditëve të fundit kemi parë reagimet e jashtëzakonshme që kanë ardhur nga bashkësia ndërkombëtare. Prandaj Prishtina zyrtare si duket e ka parë që në veri të Kosovës po instalon rezolutën 1244. Nuk kishim forca kaq të mëdha të KFOR-it të premten, dhe atje ku forcat e mëdha ndërkombëtare futen në këtë formë, fuqizohet rezoluta 1244. Në një farë forme edhe humb në masë të madhe sovraniteti dhe integriteti i shtetit të Kosovës pavarësisht se policia ka vendosur flamujt në objektet komunale.
Fuqizimi i shtetit nuk bëhet me deficit demokratik por me ligjshmëri, legjitimitet dhe e them në emër të institutit për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike që po punojmë dhe kemi punuar vazhdimisht që atë flamur të Kosovës ta ngrejë serbi që do të jetë i zgjedhur si kryetar i komunës pasi vetëm atëherë lojaliteti i serbëve do të jetë i qëndrueshëm ndaj republikës tonë.”, shtoi ai.
Sipas tij, zgjidhja e vetme është dialogu me serbët lokalë. Ai tha se kryetarët shqiptarë duhet të veprojnë si administratorë për të komunikuar me serbët dhe për të caktuar një datë për zgjedhjet. Nëse kjo nuk ndodh shtoi ai, Kurti do ta çojë vendin në zgjedhje të përgjithshme.
“Serbët do të vazhdojnë me padëgjueshmëri civile deri në momentin kur ne nuk arrijmë të merremi vesh si politikë kosovare që atje në veri të Kosovës të themi një muaj ose tre muaj, këta kryetarë të zgjedhur në formë legale por jo legjitime, të jenë administratorë dhe të caktojnë datën e zgjedhjeve. Në këto muaj të bisedojmë me Serbinë dhe me qëllim krijimin e asociacionit, përndryshe nëse këto çështje mundohemi t’i hedhim poshtë, atëherë nuk shoh tjetër rrugëdalje përveçse se Kurti ta dërgojë shtetin në zgjedhje”, shtoi ai./abcnews.al

