Tensionet në veri, Serbia i dorëzon zyrtarisht KFOR-it kërkesën për kthimin e trupave serbe në Kosovë

schedule12:47 - 16 Dhjetor, 2022

schedule 12:47 - 16 Dhjetor, 2022

Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar të premten se misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është dorëzuar kërkesa për dërgimin e pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës.

Sipas raportimeve, kërkesa është bërë në Merdare, një prej pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka bërë të ditur të enjten se Qeveria e Serbisë do t’ia nisë KFOR-it këtë kërkesë në formë elektronike.

Sipas tij, bëhet fjalë për kthimin e 100 deri në 1.000 trupave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Ai ka paralajmëruar se të nesërmen (16 dhjetor) kërkesa e njëjtë do të dërgohet edhe në kufirin me Kosovën.

Beogradi e ka marrë këtë vendim pas pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në rajonin verior.

Beogradi zyrtar e arsyeton këtë kërkesë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Vetë Vuçiq ka thënë se pret që kërkesa të mos i pranohet, duke u bazuar në mesazhet që kanë dhënë zyrtarët ndërkombëtarë ditëve të fundit.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Serbia e ka bërë këtë kërkesë në kohën e rritjes së tensioneve në veri.

Disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada më 10 dhjetor si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të arrestuar ish-zyrtarin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Sipas autoriteteve të Kosovës, ai ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fillim të muajit dhjetor.

Autoritetet e Kosovës kanë bërë përpjekje për të organizuar zgjedhjet lokale në veri, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të përfaqësuesve të serbëve atje për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Pas sugjerimeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, zgjedhjet janë shtyrë në prill të vitit të ardhshëm./REL/