“Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që duhet ta zbatojnë”. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën “Kroacia Evropiane: Retrospektiva dhe Perspektiva” të premten në Dubrovnik, shkruan N1.
Kurti theksoi se Kosova “duhet të merret me ekstremistët e dhunshëm, ultra-nacionalistët, të djathtët që besojnë në “botën serbe” dhe e shikojnë atë me botën ruse, këta janë njerëz që e admirojnë Millosheviçin apo Putinin”.
“Kosovës i duhet sundimi i ligjit dhe një datë për zgjedhje. Kosova mund të zvogëlojë praninë e njësive speciale të policisë nëse ekstremistët e dhunshëm ndalojnë trazirat. Mendoj se kjo është rruga përpara, së bashku me dialog intensiv për zbatimin e marrëveshjes dhe ne kemi një marrëveshje që duhet ta zbatojmë”, theksoi kreu i qeverisë së Kosovës.
Kosova dhe Serbia ranë dakord në mars për zbatimin e marrëveshjes së BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, e cila de facto do të sillte njohje reciproke, por presidenti serb, Aleksandër Vuçiç refuzoi ta nënshkruajë atë./abcnews.al