Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve pavarësisht kritikave për tensionet e krijuara dje në veri në vendit. Në një prononcim për mediat në Kosovë, Kurti theksoi se qeveria kishte për synim t’u mundësonte kryetarëve të rinj të komunave qasjen në zyrat e tyre.
“Sa i përket ditës së djeshme ajo çfarë është e rëndësishme të theksohet është që krejt cka kemi synuar ne si Qeveri dhe institucione të Republikës është të mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre, ku duhet t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim feje, etnie e prejardhje. Dhe besoj që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë…E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe mirë po shkon puna”, tha Kurti.
Një ditë më parë, dhjetëra qytetarë serbë u mblodhën para objekteve komunale të Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Situata u agravua ndërsa u dëgjuan të shtëna me armë zjarri dhe u hodh gaz lotsjellës nga policia për të shpërndarë protestuesit serbë, të cilët dëmtuan edhe makinat e policisë.
Protesta u zhvillua në shenjë revolte nga serbët me qëllim për të mos lejuar kryetarët e rinj shqiptar të hyjnë në zyrat e komunave me shumicë serbe./abcnews.al