Greqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë filluar stërvitjet e përbashkëta të trajnimit të forcave ajrore në Mesdheun lindor.
Forcat ushtarake janë mbledhur së fundmi në rajonin ku Greqi dhe Turqia janë në konflikt për pasuritë nënujore në shtratin e detit.
Trajnimet ushtarake filluan të premten, një ditë pasi Emiratet e Bashkuara Arabe përfunduan transferimin e nëntë avionëve luftarakë F-16 dhe katër aeroplanëve transporti në një bazë ajrore Greke në ishullin e Kretës, njoftoi Ministria Greke e Mbrojtjes, shkruan AP, përcjell abcnews.al
Në një kohë kur mosmarrëveshjet vijojnë të përshkallëzohen, Greqia dhe Turqia kanë udhëhequr trajnime të shumta ushtarake në zonë në javët e fundit. Ndërsa, Turqia ka iniciuar një mision vëzhgimi në ujërat ku Athina pretendon juridiksionin.
Sipas Ankarasë, ishujt grekë nuk duhet të përfshihen në llogaritjen e zonave detare ku nafta dhe gazi mund të shfrytëzohen, një pikëpamje e kundërshtuar nga shumica e aleatëve perëndimorë.
Franca, Italia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë bashkuar në stërvitjet e fundit ushtarake dhe misionet stërvitore të mbajtura nga Greqia dhe aleati Qipro, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar edhe ushtrime të ndara me Greqinë. /abcnews.al./