Tensione para Kuvendit, reagon Meta

schedule13:59 - 16 Mars, 2019

schedule 13:59 - 16 Mars, 2019

Presidenti Ilir Meta në një njoftim për mediat bëri thirrje për ruajtje të qetësisë pas tensioneve në protestën e opozitës përpara Kuvendit.

“Presidenti i Republikës është duke ndjekur me shqetësim situatën. Ai bën thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë. Ai u kërkon të gjithëve të evitojnë konfrontimet dhe të qëndrojnë larg provokimeve”, shprehet Meta.

Protesta e opozitës u shoqërua me tensione pasi u zhvendos përpara Parlamentit. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj protestuesve.

Pasi këta të fundit dëmtuan traun e Kuvendit, Garda e Republikës hodhi fillimisht gaz lotsjellës në drejtim të tyre. Kaq mjaftoi që protestuesit të shpërndaheshin. Para parlamentit ndodheshin gjithashtu edhe fëmijë.

Por edhe pse është përdorur gaz lotsjellës, kjo nuk i pengoi protestuesit të rigrupohen sërish herë pas here. Gazi lotsjellës është hedhur nga tarraca e Parlamentit. Ata kanë hedhur gurë dhe sende të forta ndaj Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të dislokuara aty./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!